Europol ka zhvilluar një operacion ndërkombëtar kundër pastrimit të parave (të ardhura nga trafiku i drogës). Në komunikatën zyrtare Europol thekson se veprime hetimore janë kryer edhe në Shqipëri me mbështetjen e SPAK dhe BKH, dhe se ky operacion është vazhdim i operacioneve “Gorgon”, pra atij të muajit gusht ku u godit klani “Çopja” në Elbasan dhe atij “Whitewall”.
Në muajin gusht në Shqipëri, operacioni i përbashkët u kodua me emrin “Gorgon”, figura monstruoze sipas mitologjisë greke, me Meduzën si përfaqësuesen më të njohur të tyre.
SPAK bëri me dije në atë kohë se kishte lëshuar 33 urdhër-arreste ndaj anëtarëve të dyshuar të një organizata kriminale, që drejtohet sipas hetuesve nga dy vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja.
Ndërsa ditën e sotme Europol njoftoi se nëntë persona janë arrestuar ndërsa janë sekuestruar dokumente, telefona celularë, sende me vlerë (ari, mallra luksi), 35 000 euro cash dhe 27 milionë euro kriptovaluta.
Në vitin 2021, u sekuestruan para cash gjatë një kontrolli në një shtëpi, para të cilat lidheshin me trafikun e kokainës. Disa prej kartëmonedhave prej pesë eurosh kishin mbishkrime të shkruara me dorë, të cilat jepnin informacion se kush po koordinonte dhe lehtësonte lëvizjet financiare të trafikut të drogës.
Guardia Civil në Spanjë ia dorëzoi këtë informacion Europolit, i cili e kontrolloi atë me të dhënat e mbledhura pas zbërthimeve të EncroChat dhe Sky ECC.
Si rezultat, i dyshuari u identifikua si një koordinator që ofronte shërbime bankare nëntokësore për një rrjet kriminal me bazë në Spanjën jugore, i cili nga ana tjetër ishte nën mbikëqyrjen e një rrjeti që operonte nga Dubai. I dyshuari, shtetas britanik, u arrestua më 12 shtator 2022.
Hapi tjetër në hetim ishte analizimi i të dhënave për të identifikuar individët në kontakt me të dyshuarin.
Kjo përpjekje synonte kuptonte rolet e anëtarëve të grupit kriminal. Bashkëpunimi i ngushtë midis Europolit, Guardia Civil Spanjoll dhe anëtarëve të Task Forcës Operacionale lehtësoi shpërndarjen e paketave të shumta të inteligjencës. Bazuar në këto gjetje, veprimi i koordinuar nga Europol u zhvillua më 4 nëntor 2024 në Malaga, Spanjë, me pjesëmarrjen e autoriteteve të zbatimit të ligjit belge, bullgare, holandeze dhe të Shteteve të Bashkuara.
Rrjedhat e parave ‘offline’ dhe ‘online’
Operacioni WHITEWALL ishte hetimi i parë penal i asaj që do të bëhej një Task Force Operacionale e Europolit e fokusuar në bankat e nëndheshme. Ai synonte të prishte dhe çmontonte rrjetet financiare që ofronin ‘krimin si shërbim’. Të kontrolluar kryesisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe që veprojnë në të gjithë BE-në dhe më gjerë, këta ofrues të shërbimeve kriminale kujdesen të fshehin origjinën e sasive të mëdha të të ardhurave të paligjshme.
Një nga gjetjet kryesore të hetimit ishte se një anëtar i një rrjeti kriminal me bazë në Shqipëri, i shënjestruar gjatë operacionit GORGON, po lehtësonte transferimin e shumave të mëdha të parave përmes kriptomonedhave. E përdorur jo vetëm nga bota kriminale shqiptare, por edhe nga organizata të tjera kriminale, kjo është një qasje inovative për pastrimin e parave.