Krimi i organizuar po përhapet në Evropë me rrjetet kriminale që po bëhen gjithnjë e më të dhunshme, sipas agjencisë së Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EUROPOL.
“Krimi i organizuar është në marshim. Ai shfrytëzon çdo dobësi”, tha shefja e EUROPOL-it, Catherine De Bolle, në një intervistë për gazetën gjermane Spiegel.
“Tregtia në rritje e drogës është një terren pjellor për dhunë”, shtoi De Bolle.
Bëhet e ditur se prodhimi i kokainës në Amerikën Jugore dhe Qendrore po lulëzon dhe po e përmbyt Evropën, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Situata është kritike. Tregtia e barnave të tjera është gjithashtu në rritje”, vazhdoi shefja e EUROPOL-it.
Sipas hetimeve të Zyrës së Policisë Evropiane me qendër në Hagë, në BE janë 821 rrjete të rënda kriminale aktive, me mbi 25,000 anëtarë.
Këto banda shumë profesionale dhe të pamëshirshme, paralajmëron EUROPOL-i, janë të angazhuara kryesisht në trafikun e drogës.
Siç thekson De Bolle, “paratë e fituara në Evropë përmes drogës duhet të mbeten në kontinent dhe të investohen në ekonominë vendase”.
“Krimi i organizuar përbën një nga rreziqet më të mëdha të kohës sonë”, tha ajo.
Policia ka nevojë për burime teknike, fuqi dhe personel për të pasur një shans kundër këtyre rrjeteve.
“Nëse nuk investojmë më shumë, do ta humbim këtë luftë”, përfundoi shefja e agjencisë.