Duke folur për televizionin CBS, Jonathan Dekel-Chen akuzoi Netanyahun se nuk ishte i interesuar për marrëveshjen e armëpushimit që do të siguronte lirimin e robërve
Babai i shtetasit amerikano-izraelit, Sagui Dekel-Chen, i cili mbahej rob nga Hamasi në Gaza, reagoi ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe tha se ai “veproi me dëshirën për të mbajtur pushtetin”, transmeton Anadolu.
Duke folur për televizionin CBS, babai Jonathan Dekel-Chen akuzoi Netanyahun se nuk ishte i interesuar për marrëveshjen e armëpushimit që do të siguronte lirimin e robërve.
Sipas tij, shumë izraelitë nuk u besojnë më fjalëve të Netanyahut dhe nuk shohin veprimet e tij. “Me veprimet e tij, ai vepron me dëshirën për të mbajtur pushtetin me partnerët e tij të qeverisë pakicë që kanë një mision radikal”, tha Dekel-Chen.
Ai theksoi se Netanyahu veproi me “fantazinë e mposhtjes së Hamasit një herë e përgjithmonë”. “Megjithatë, kjo ide është një ide radikale që vjen nga partnerët e tij të koalicionit dhe është joreale, dhe të paktën deri më sot, ai e ka preferuar këtë ide në vend të mirëqenies së të gjitha pengjeve”, shtoi Dekel-Chen.
Ushtria izraelite njoftoi se ka gjetur 6 trupa të të burgosurve izraelitë gjatë përleshjeve në Gaza.
Platforma e formuar nga familjet e të burgosurve izraelitë të mbajtur në Gaza kohët e fundit kishte mbajtur përgjegjës për vdekjen e 6 të burgosur izraelitë kryeministrin, Benjamin Netanyahu, i cili “insiston në vazhdimin e pushtimit të Korridorit të Filadelfit në vijën kufitare Gaza-Egjipt dhe minon marrëveshjet e shkëmbimit të të burgosurve”.
Netanyahu, nga ana tjetër, pohoi se qeveria ishte e vendosur të arrinte marrëveshje për lirimin e të burgosurve të mbetur dhe fajësoi Hamasin për mos arritjen e marrëveshjes. Prej kohësh kanë vazhduar negociatat mes palëve për të ndaluar sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës, të cilat vazhdojnë që nga 7 tetori.
Netanyahu akuzohet nga Izraeli dhe komuniteti ndërkombëtar se nuk ka bërë marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve me Hamasin për arsye politike. Nenet që Izraeli i shtoi draft-marrëveshjes dhe veçanërisht këmbëngulja e tij për të mbajtur kontrollin mbi Korridorin e Filadelfit, në vijën kufitare Egjipt-Gaza, i vështirësuan negociatat.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 e deri më tani janë vrarë 40.738 palestinezë, përfshirë të paktën 16.673 fëmijë dhe 11.269 gra ndërsa janë plagosur 94.154 të tjerë./AA/