Ka nisur mbledhja e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët e vendit, në ambientet e Kryeministrisë. Fjalën e tij Rama e ka nisur me përjashtimin e Fatos Tushes nga PS-ja, ndërsa shtoi se ky vendim do të rishikohet vetëm në rast se ai del i pafajshëm.
Rama tha se këto masa merren për të dhënë një mesazh shumë të qartë se kushdo që luan me taksat e shqiptarëve nuk do të ketë mbështetjen e PS dhe do të jetë i vetëm para drejtësisë.
“Ju kam thirrur sot këtu për një shkak dhe dy arsye themelore në lidhje me punën tuaj. Arrestimi i kryetarit të bashkisë së Lushnjes të akuzuar nga SPAK për korrupsion.
Patjetër që kryebashkiaku dhe të tjerët kanë të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në përfundim të gjykimit por nuk është detyra ime as e PS të kërkojnë pafajësinë e tyre.
Kjo është puna e avokatëve të të pandehurve, ndërsa ky është rasti për t’ju përsëritur juve dhe të gjithë t tjerëve që kanë marrë apo do marrin besimin e shumicës sonë të mandatuar për të tretën herë rresht nga populli shqi0tar si forcë qeverisëse se PS nuk është zyrë avokatie të të pandehurve e akuzuarve nga drejtësia por fuqia e votuar nga populli për ti shërbyer Shqipërisë e qytetarëve, jo të pandehurve, as të akuzuarve në radhët e veta.
Korrupsioni, ryshfeti, bakshishi, nuk kanë ngjyrë politike dhe janë e zeza, errësira, llumi, me të cilin ne duhet e do të përballemi duke vijuar të reformojmë Shqipërinë, të ndërtojmë shtetin e të drejtës shqiptare, të refuzojmë çdo lloj mbrojtje për këdo qoftë ndër ne që bie pre e tyre, të udhëheqim popullin drejt majës ku duhet ta ngjisim Shqipërinë me forcën e shembullit jo me shembullin e forcës.
Kryetari i Bashkise do shkarkohet nga detyra dhe përjashtohet nga PS, masa që mund të rishikohen vetëm nëse ai mund të dalë i pafajshëm para drejtësisë.
ne i marrim këto masa për të dhënë një mesazh të qartë për të gjithë ata që janë përgjegjës për taksat e shqiptarëve në çdo nivel, se kush fut duart në taksat e tyre, kush luan me taksat e tyre, kush shkel të drejtën e tyre për të qenë të barabartë në konkurrencë dhe për të shërbyer me dinjitet është thjeshtë i vetëm me avokatin e tij personal përballë drejtësisë.
Ju kam thirrur sot se të gjithë pa përjashtim, troç, t’i vini mirë gishtin kokës dhe të kuptoni në mish dhe në shpirt se mandati i tretë kërkon një përkushtim të trefishtë ndaj popullit”, tha Rama.