SYDNEY – BGI Group, kompania më e madhe në botë e kërkimeve gjenetike, ka punuar me ushtrinë e Kinës për studime që variojnë nga testimi masiv për patogjenët e frymëmarrjes deri te shkenca e trurit, është konkluduar nga një hulumtim i agjensisë së lajmeve Reuters, dokumentacionit të shpikjeve shkencore, dhe dokumente të tjera.
Analiza e më shumë se 40 dokumenteve dhe studimeve kërkimore që janë të disponueshme për publikun në gjuhën në kineze dhe në anglisht, tregon lidhjet e BGI-së me Ushtrinë Çlirimtare të Popullit (PLA), përfshirë kërkimet me ekspertët kryesorë ushtarakë të nivelit të lartë kompjuterik të Kinës. Përmasat e këtyre lidhjeve nuk ishin raportuar më parë.
BGI-ja ka shitur miliona paisje testimi COVID-19 jashtë Kinës që nga shpërthimi i pandemisë së re të koronavirusit, përfshirë në Evropë, Australi dhe Shtetet e Bashkuara. Aksionet e BGI Genomics Co, filiali i kompanisë i listuar në bursën e Shenzhenit, janë dyfishuar në çmime gjatë 12 muajve të fundit, duke i dhënë asaj një vlerë tregu prej rreth 9 miliardë dollarësh.
Por zyrtarët e lartë amerikanë të sigurisë kanë paralajmëruar laboratorët amerikanë kundër përdorimit të testeve kineze për shkak të shqetësimit se Kina po kërkonte të mblidhte të dhëna të huaja gjenetike për kërkimet e veta. BGI-ja e ka mohuar këtë.
Dokumentet e shqyrtuara nga agjensia e lajmeve Reuters as nuk e kundërshtojnë dhe as nuk e mbështesin këtë dyshim të Shteteve të Bashkuara. Sidoqoftë, materiali tregon se lidhjet midis ushtrisë kineze dhe BGI-së shkojnë më thellë sesa kuptoheshin më parë, duke ilustruar sesi Kina ka lëvizur për të integruar kompani private të teknologjisë në kërkime të lidhura me ushtrinë, nën drejtimin e Presidentit Xi Jinping.
Qeveria amerikane kohët e fundit është paralajmëruar nga një panel ekspertësh se vendet kundërshtare dhe aktorët jo-shtetërorë mund të gjejnë dhe vënë në objektiv dobësitë gjenetike në popullatën amerikane dhe një konkurrent si Kina mund të përdorë gjenetikën për të shtuar forcën e personelit të saj ushtarak.
BGI-ja ka punuar me projekte të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit (PLA) duke kërkuar që t’i bëjë anëtarët e shumicës etnike kineze Han më pak të ndjeshëm ndaj lartësive, zbuloi Reuters, kërkime gjenetike që do të ndihmonin ushtarët në disa zona kufitare.
Elsa Kania, një bashkëpunëtore e vjetër në Qendrën për Sigurinë e Re Amerikane, e cila ka dhënë dëshmi në komisionet e Kongresit amerikan, i tha agjensisë Reuters se ushtria kineze ka nxitur kërkime mbi shkencën e trurit, redaktimin e gjeneve dhe krijimin e gjenomëve artificialë që mund të kenë një aplikim në armët biologjike të së ardhmes. Ajo shtoi se armë të tilla aktualisht nuk janë teknikisht të realizueshme.
Modeli i bashkëpunimit i BGI-së me ushtrinë kineze ishte një “shqetësim i arsyeshëm për t’u ngritur” për zyrtarët amerikanë, tha zonja Kania.
Në përgjigje të pyetjeve të agjensisë Reuters, BGI-ja tha se i përmbahet standardeve ndërkombëtare dhe ligjeve kineze në lidhje me shkencën e hapur, ndarjen e të dhënave dhe kërkimet gjenetike. Ajo tha se bashkëpunimi i saj me studiuesit ushtarakë ishte vetëm për qëllime akademike.
“BGI-ja kundërshton me forcë çdo akuzë për lidhje me PLA-në, veçanërisht në lidhje me kompletet tona të testimit për COVID-19”, tha kompania në një deklaratë.
Ministria e Mbrojtjes e Kinës nuk iu përgjigj kërkesave për komente./VOA/