Të paktën 6 fëmijë janë mbytur pasi dy varka me emigrantë që po udhëtonin nga Turqia për në Greqi u mbytën në ujërat e detit Egje.
Sipas raportimeve të mediave turke, varka e parë mbante rreth 55 emigrantë, shumica e të cilëve sirianë dhe afganë, dhe u fundos pranë qytetit turk Ajvaçik. Ndërsa e dyta mbante rreth 20 persona kur u mbyt pranë lokalitetit të Bodrumit.
Përpjekja e fundit e emigrantëve për të arritur Greqinë nga Turqia hasi në erëra të forta dhe mot të keq.
Mjeti lundrues që u mbyt pranë Ajvaçikut ishte drejtuar për në ishullin e Lesbos. Trupat e 4 fëmijëve afganë janë rekuperuar nga roja bregdetare turke, raporton agjencia e lajmeve “Anatolia”.
Ndërsa dy të tjerët, dy motra të moshave 4 dhe 1 vjeç, humbën jetën në përpjekjet për të arritur ishullin e Kosit.
Turqia është bërë një pikë e madhe tranziti e njerëzve që u largohen konflikteve në Siri, Irak dhe Afganistan, me shpresën për të arritur Evropën veriore.
Qindra mijëra emigrantë dhe refugjatë kanë hyrë në vendet e Bashkimit Evropian që prej muajit gusht, duke përdorur rrugët e vendeve të Ballkanit perëndimor.