Turi i takimeve i ish-Kryeministrit Sali Berisha u ndal këtë të premte në Berat. “Foltorja: Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”, u zhvillua në Pallatin e Kulturës të Beratit.
Më herët, Berisha ka zhvilluar takime me demokratët në Tiranë, Fier, Vlorë, Durrës, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan, Korçë, Kukës dhe Peshkopi.
Ish-kreu i PD me këtë nismë synon largimin e Bashës nga drejtimi i partisë. Kjo lëvizje e tij vjen pasi kreu i PD e përjashtoi nga Grupi Parlamentar pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA.
Sali Berisha: Javën e ardhshme shpallim datën e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar
Ish-Kryeministri Sali Berisha bëri me dije gjatë takimit që zhvilloi me demokratët e Beratit që javën e ardhshme do të shpallet data e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar.
Pasi u pyet nga qytetarët, Berisha shpjegoi se si mblidhet Kuvendi. Sipas statutit përcaktohet që Kuvendi të thirret nga Këshilli Kombëtar, por nëse ¼ e delegatëve voton për mbledhjen, atëherë atyre iu njihet e drejta edhe nëse do ose jo kryetari i partisë apo Këshilli Kombëtar.
“Statuti përcakton që Kuvendi thirret nga Kryesia, Këshilli Kombëtar. Statuti thotë që kuvendi mblidhet edhe nga 1 e 4 e delegatëve. Çka do të thotë delegatëve u njihet e drejta pavarësisht nëse do apo jo Kryetari apo Këshilli Kombëtar. Ju garantoj se javën që vjen do të shpallim datën e mbledhjes së Kuvendit dhe do të mblidhemi të sigurtë”, tha Berisha.
Berisha: Është tejkaluar me kohë kuorumi, ne do ta mbledhim Kuvendin Kombëtar
Sali Berisha ka njoftuar gjatë takimit që ka zhvilluar me demokratët e Beratit se është tejkaluar me mbi 50 përqind kuorumi i nevojshëm për të mbledhur Kuvendin Kombëtar. Lideri historik i demokratëve u shpreh se Kuvendi do të mblidhet dhe do të bëhen të mundura ndryshimet thelbësore në statutin e partisë.
“Ju informoj me kënaqësi që kuorumi mbi 50 përqind është tejkaluar me kohë. Ne do të mbledhim kuvendin dhe do të bëjmë ndryshimet thelbësore në statut”, tha Berisha.
Sali Berisha: Të përgatitemi për protesta që nuk i ka parë kurrë Shqipëria
Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga Berati se ka besim të plotë tek anëtarët e PD-së që do të ngrihen dhe do të zhvillojnë një betejë “dhëmb për dhëmb” me Edi Ramën. Gjatë fjalës së tij, lideri historik i PD tha se demokratët duhet të përgatiten për protesta.
“Jam midis demokratëve me qëllimin që të ringrejmë PD-në në idealet dhe vlerat e saj. Të bashkojmë PD-në. Ti rikthejmë asaj votën, t’i rikthejmë asaj besimin tek vetja. Ta përgatisim atë për një betejë dhëmb për dhëmb me Edi Ramën. Sot kisha në zyrë një demokrat, i cili kishte bërë biznes të ndershëm. Çfarë më tregoi? Sapo ikëm ne nga pushteti, i shkon banda e qeverisë dhe i thotë “dëgjo ti, tani këto taksa do na i japësh ti, s’ke punë me tatimet ato taksa do të na i japësh ne”. Thashë këtë gjë nuk e bëj kurrë, ato taasa do t’i jap tek tatimet. Unë i dërgova një mesazh kreut të Meduzës, i them kështu, kështu më kanë ardhur. Ai mesazhin ua çon banditëve të tij. I shkojnë tetë vetë, e godasin rënë në kokë, por ai nuk ishte dorëzuar. Ai përsëri tha “unë qëndrova, nuk u mposhta”. Të tillë janë me qindra.
Ne duhet të ngrihemi. Ne kemi detyrim absolut para vetes, para fëmijëve tanë që të votojmë me protestën tonë. Atyre që u dhunohet vota, ata kanë protestën, protestën dhe vetëm protestën. Ndaj dhe jam këtu tek ju me besim të plotë tek ju, tek çdo demokrat të përgatitemi për protesta që Shqipëria kurrë nuk i ka parë. Nuk rrimë ne populli i dhunuar, nuk pranojmë të jemi votëshkelur. Meritojmë të jemi qytetarë të lirë. Ndaj edhe ia çojmë këtë mesazh. Natyrisht ne do zgjidhim protestën tonë pasi tani për tani, Rama ka marrë peng Bashën, i cili pasi u zgjodh harroi çdo interes tuajin. E ka kapur një frikë dhe tmerr nga ju. Nuk takon asnjërin prej jush. Po dale njëherë, dhe përkundrazi paraqet takimet dhe mbledhjet tona antiamerikane, kur këto janë proamerikane, pro europiane dhe të tilla do të mbeten. Këto foltore, çfarë qëllimi kanë. Kanë qëllim të mbrojnë sovranitetin e forcës sonë politike. Një forcë po nuk qe sovrane nuk vjen kurrë në pushtet, nuk ka dinjitet, anëtarët e saj janë të mashtruar. Foltorja jonë është vetëm për bashkimin e demokratëve. Kjo foltore synon që t’i japë PD vitalitetin që i duhet”, tha Berisha.
Propozimi i PD për Vettingun e politikanëve, Berisha-Bashës: Duhet të jesh skllav i Ramës që…
Propozimin e PD-së për Vettingun e politikanëve dërguar së fundmi në parlament, Sali Berisha e konsideron si një akt të turpshëm. Ish-Kryeministri deklaroi nga Berati se ai amendament është dërguar nga Rama nëpërmjet Bashës në mënyrë që SPAK-u t’i bëjë Vettingun deputetëve.
Berisha tha se në mënyrë që të bësh një propozim të tillë, duhet të jesh “skllav” i kryeministrit Edi Rama pasi “nuk dorëzohet legjislativi tek prokuroria politike“. Ndër të tjera, Berisha tha se nuk është kundër Vettingut të politikanëve, pasi e mbështet atë, por sipas tij duhet të bëhet në mënyrë transparente.
“Akti më i turpshëm që kalon çdo imagjinatë të një njeriu të lirë është amendamenti që dërgon Edi Rama nëpërmjet tij në parlament që SPAK të bëjë Vettingun e deputetëve. Vettingu i politikanëve është i domosdoshëm, e kam mbështetur dhe e mbështes plotësisht, por jo mbi rregulla policeske që mund ta përdorë kush për të marrë peng deputetët, por mbi rregulla transparente. Ne bëmë një ligj, Komisioni i Venecias e përmbysi. Përmbysi Vettingun? Jo. Vettingu bëhet dhe bëhet në mënyrën më transparente, shto në formularin e deputetit të gjitha problemet, krijo Komisionin e Etikës. Në shumicën e parlamenteve janë Komisionet e Etikeve që i thonë deputetëve që shko në gjykatë se ke bërë shkelje. Nuk dorëzohet legjislativi tek prokuroria politike. Për prokurorinë kemi bërë një gjë të madhe në 2012. Kemi hequr imunitetin për korrupsionin. I keni të gjitha mekanizmat. Se si mundet një forcë politike që e quan veten demokratike, të propozojë që të vendosë SPAK i Edi Ramës për mandatet e deputetëve duhet të jesh skllav dhe super skllav i tij që të bësh një propozim të tillë”, tha Berisha.
“Haram e paç Lulzim Basha! Kur ne ia rrëzonim poturet Edi Ramës, ti vije ia ngrije…”
Ashtu si në çdo Foltore të ish-Kryeministrit Sali Berisha, edhe kjo e kësaj të premteje në Berat, u shoqërua me komente, pyetje e entuziazëm nga mbështetësit e liderit historik të Partisë Demokratike.
Në mesin e tyre ishte edhe një qytetar që nuk kurseu kritikat në drejtim të Amerikës, por edhe ndaj Lulzim Bashës… E në fund ngriti edhe një dolli.
“Kam mendimin tim personal që shpallja e Sali Berishës non grata… nga kush? Nga Amerika. Nga cila Amerikë? Nga kjo Amerikë që bekoi mbushjen e territorit tonë me drogë. Nga kjo Amerikë që ka certifikuar qeverinë më satanike që ka parë historia 100 vjeçare shqiptare. Kjo Amerikë që ne helmoheshim atje dhe bënte sehir. Jo kjo Amerikë burokratike nuk është Amerika që kam ëndërruar unë, që kanë ëndërruar këta burra dhe gra këtu. Do ju lutem se unë jam pensionist dhe s’më bie radha më dhe do ma bëni hallall, dikush do ta falenderojë që më dëgjon, po dikë do ta falenderoj që më duron.
“Do t’i bëjë thirrje Lulzim Bashës. Zoti Basha, haram e paç mundimin tim, që në çadër u plevitosa dhe haram e paç rezistencën time te parlamenti, që u helmuam me gaz. Në kohën që ne arrinim t’i rrëzonim poshtë poturet e Edi Ramës, ti vije ia ngrije poturet. Zoti Basha, largohu, hiqe këmborën se nuk e tund dot, se këmbora do zverk, nuk do baluke. Nuk do ta zgjas shumë dhe dy sekonda se kam një dolli për zotin Berishën.’’