“Fotografi maqedonas, Osman Demiri”

Midis nesh

Disa nga mediumet (sidomos ato elektronike) në Shqipëri vazhdojnë të manifestojnë një injorancë të çuditshme dhe, edhe përkundër tërheqjes së vërejtjes publikisht nga gjuhëtarët tanë eminent, vazhdojnë të këmbëngulin në budallallëkun e tyre.
Këtë injorancë, që përfshijnë disa aspekte gjuhësore, në veçanti e vërejnë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, përkatësisht në Kosovë, Maqedoninë Veriore, Mal të Zi e Serbi. Është e habitshme, mbase e pakuptueshme se si këto mediume, bie fjala, shqiptarët e Maqedonisë Veriore i emërojnë e trajtojnë si maqedonas.
Nëse ata, pra shqiptarët, jetojnë (e historia ka treguar se pse) në shtetin që sot njihet si Maqedonia e Veriut, kjo nuk do të thotë se janë maqedonas, siç nuk janë serb shqiptarët e Luginës së Preshevës që (gjithashtu dihen arsyet) jetojnë në hapësirat e Serbisë, apo malazez shqiptarët e Malit të Zi. Pra, pavarësisht akteve juridike që rregullojnë shtetësinë, shqiptarët jashtë Shqipërisë janë shqiptarë dhe çdo arsyetim tjetër thjeshtë është i papranueshëm.
Një injorancë të gërditshme ditë më parë e shprehu TV1 Channel nga Shkodra. Duke raportuar për ekspozitën e Osman Demirit, atë do ta pagëzojë si FOTOGORFI MAQEDONAS, kurse Lulzim Haziri, që shprehu vlerësimin e tij rreth ekspozitës së fotografit Demiri, do të paraqitet si SHKRIMTAR MAQEDONAS.
Sipas kësaj logjike të përçudnuar të disa mediumeve në Shqipëri, del se Mexhid Mehmeti, një nga letrarët tanë të njohur nga Presheva, është shkrimtar serb, sepse Presheva është në territorin e Serbisë. Ose si do t’i quajmë të gjithë ata shkrimtarë tanë që shkruajnë e botojnë shqip, por që për shkaqe të ndryshme sot jetojnë në shtete të ndryshme të Perëndimit. Nëse ata kanë edhe shtetësinë e shteti ku jetojnë, por që shkruajnë e botojnë shqip, atëherë a do t’u duhet që edhe atyre t’u themi, bie fjala, shkrimtarë italianë, gjermanë, suedezë, grekë, anglezë apo edhe amerikanë?
Pra kemi të bëjmë me një mjerim të disa mediumeve që nuk dinë ta bëjnë një dallim shumë të thjeshtë, pa u skuqur fare për prezantimin publik të injorancës së tyre. Kjo çështje natyrisht se meriton një trajtim institucional në Shqipëri, sepse është një çështje ofenduese, është një çështje që imponon mohim, refuzim, kurse shqiptarët jashtë Shqipërisë nuk e meritojnë një trajtim të tillë sa abuzues, aq edhe komprometues…
/HEJZA/

Leave a Reply