Të paktën pesë persona u vranë dhe mbi 100 u plagpsën kur fragmente raketash u shpërndanë mbi plazhistët gjatë një sulmi ukrainas në qytetin e Sevastopolit në Krimenë e pushtuar nga Rusia, thonë autoritetet.
“Për fat të keq, ne aktualisht kemi 124 viktima, nga të cilët tre janë fëmijë”, tha guvernatori i evastopolit Mikhail Razvozhayev në Telegram.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një postim në Telegram se Ukraina e kreu sulmin duke përdorur “raketat operative-taktike ATACMS të furnizuara nga SHBA të pajisura me koka luftarake grumbulluese”.
Këto raketa u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ruse, por një tjetër “devijoi nga trajektorja e fluturimit dhe shpërtheu në ajër mbi qytet”, thuhej në postim.
Pamjet e postuara në X tregojnë pasojat e sulmit, me ciicilë të plagosur të cilët merren nga plazhi me barrela dhe dërgohen në spital.
Pushuesit, disa me rroba banje, shihen duke u larguar nga zona.
Sipas dëshmitarëve okularë në terren, nuk kishte asnjë sirenë sulmi ajror që paralajmëronte sulmin.
Në përgjigje të sulmit të Ukrainës në Sevastopol, Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se “veprime të tilla nuk do të mbeten pa përgjigje”, duke thënë se përgjegjësia për sulmin bie në Uashington.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se presidenti rus Vladimir Putin është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Sevastopolit, duke shtuar se prioriteti i qeverisë ruse është të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme për viktimat, thotë RIA.
Ukraina nuk ka komentuar zyrtarisht për sulmin, por CNN ka kontaktuar me ushtrinë ukrainase për një koment.
Krimea është pushtuar nga Rusia që kur forcat e saj aneksuan gadishullin në vitin 2014. Që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, ajo është sulmuar sporadikisht nga forcat ukrainase.
Kievi ka këmbëngulur më parë se sulmet e tij në Krime, të cilat kanë shënjestruar bazat dhe anijet detare ruse, janë një pjesë integrale e strategjisë së tyre, që synojnë të përpiqen të izolojnë gadishullin dhe ta bëjnë më të vështirë për Rusinë që të vijojë operacionet e saj ushtarake në Ukrainë, i tha CNN një burim ukrainas i njohur me strategjinë vitin e kaluar.