Pak javë përpara se Këshilli Europian të marrë vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, Shkupi ka marrë sinjale skepticizmi nga Franca. Ambasadori Kristian Timonie, deklaroi se pavarësisht disa arritjeve shumë të rëndësishme, Maqedonia e veriut ka ende shume për të bërë.
Kristian Timonier: “Jemi duke reflektuar. Autoritetet franceze kanë ndarë vlerësimet e tyre të larta për Marrëveshjen e Prespës, njëkohësisht kanë vlerësuar edhe reformat që janë në progres. Por mbetet shumë për tu bërë për konsolidimin e shtetit të së drejtës si dhe në drejtime të tjera. E di se ajo që ju kërkoni është data, por njëkohësisht duhet që standardet e këtij vendi të përkojnë me standardet evropiane. Hendeku mes të thënës dhe të bërës është shumë i madh. Por gjithsesi më vjen mirë që po punohet seriozisht në përmbushjen e pritshmërive që kanë vendet e unionit.”
Ndërkohë, zv.kryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani ka deklaruar nga Polonia, se shtyrja e një vendimi pozitiv për Maqedoninë e veriut në tetor, do të shkaktonte një paralizë institucionale në vend dhe gjithashtu do të dëmtonte besueshmërinë e unionit në vendet e rajonit.
Bujar Osmani: “Jam këtu në Varshavë për të biseduar me të gjithë ministrat të cilët do të jenë në Luksemburg më 15 tetor dhe do të marrin vendimin në emër të tyre, për të sqaruar se sa i rëndësishëm është vendimi pozitiv për Maqedoninë e Veriut. Mesazhi që del nga ai takim, në fakt, është multidimensional si për mbajtjen gjallë të proceseve brenda ashtu edhe për mesazhin që u dërgohet vendeve të rajonit, mirëpo edhe për të ruajtur kredibilitetin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.”
Autoritetet në Shkup e kanë bërë të qartë pritshmërinë e tyre që vendimi i këshillit për hapjen e negociatave, të bazohet në meritë dhe jo domosdoshmërisht të kushtëzohet nga vendimi për Tiranën.