Një personi i është prerë koka dhe një tjetër është plagosur në një sulm në një fabrikë gazi në Lion të Francës, ku më pas është gjetur flamuri islamik.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, të cilat flasin edhe për disa shpërthime të vogla, të shkaktuara nga agresorët në fabrikën “Air Products”, sipas të gjitha gjasave duke përdorur bombulat e gazit.
Flamuri i Shtetit Islamik është gjatur pranë trupit të viktimës, bëjnë të ditur burimet mediatike. Ndërsa burime të pakonfirmuara deklarojnë se të paktën një person është arrestuar dhe se një ose dy të tjerë po kërkohen nga policia, e cila është mobilizuar duke izoluar zonën.
Ngjarja vjen në një kohë kur Francës ende nuk i janë “shëruar” plagët e masakrave të fillimvitit në redaksinë e revistës satirike “Charlie Hebdo” dhe në rrethinat e Parisit, në të cilat mbetën të vrarë 17 persona.
Mësohet se ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve është nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes. Në veprim kanë hyrë edhe forcat speciale të anti-terrorit.
Sipas një gazete lokale franceze, një nga agresorët e dyshuar ka deklaruar përkatësinë në organizatën e Shtetit Islamik.