Shkruan: Samet Avdiu /
Megaintervistat, apo intervistat e stërzgjatura, janë formë e komunikimit-shkrimit gazetaresk, të cilat preferohen të zhvillohen me personalitete shumë të rëndësishme të shoqërisë. Zakonisht zhvillohen kur gazetari përpiqet të shtjellojë një problematikë duke e kapur nga fillet e saj e deri në zbërthim. Intervistë kaq të gjatë në letrat shqipe nuk është se e kemi me shumicë. Janë tri-katër gjithësej. Është megaintervista e zhvilluar nga Allen Bosque me Ismail Kadarenë, nga Enver Robeli me Arbën Xhaferin, nga Bardh Hamzaj me Ramush Haredinajn dhe, e fundit, nga Albina Ajdari (gazetare e LAJMIT) me Afrim Tahirin.
Vetëngulfatja e mediave tona
Afrim Tahiri nuk është personalitet aq i rëndomtë. Ka qenë Sekretar Gjeneral i BFI-së dhe tani është bartës i procesit të reformimit të Bashkësisë Fetar Islame në RM, apo, siç thotë ai, këmbëngulës në dekriminalizimin dhe dehajdutëzimin (dekusarizimin) e këtij Institucion. Në pjesën hyrëse të kësaj interviste preket një problem mjaft i rëndë, shumë i ulët dhe tepër fyes për shoqërinë tonë shqiptare. Tregohet arsyea e zgjedhjes së komunikimit në këtë formë. Pse kjo megaintervistë?! Sipas z. Tahirit, zgjidhet kjo formë sepse e vërteta assesi të dalë në shesh. Janë bërë përpjekje për debate mediale por, kryetari aktual i BFI-së tashmë i paskësh blerë mediat shqipe, duke i korruptuar qoftë gazetarët, qoftë edhe udhëheqësit e tyre. Nuk ka shansë të dalë një shkrim, një intervistë, një reagim apo një demantim mbi “të vërtetat” e rreme të BFI-së. Me këtë megaintervistë në fakt tregohet se në çfarë niveli ka rënë media e gjuhës shqipe në Maqedoni e më gjërë. Shoqatat e ndryshme të esnafit të gazetarisë nuk e kanë këtë hall të tmerrshëm, ata merren me “politika më të larta”, sepse, sipas tyre, nuk është aq i rrezikshëm kriminalizimi i mediave shqipe! Dhe, për ta goditur sado pak këtë tendencë të keqpërdoruesve të mjeteve publike, të grumbulluara nga populli, shfrytëzohet edhe kjo formë e komunikmit nëpërmjet formës së librit publicisik. Tashmë të vërtetën e Afrim Tairit e kemi të palosur në mes të dy kopertinave, të koduar në Bibliotekën Kombëtare dhe të shpërndarë gjithandej vendit dhe botës, me garancë se do të jetojë aq sa do të jetojë edhe vetë libri. Kjo e vërtetë tashmë është destinuar që të mbetet përjetë e vërtetë dhe të ngelë e vërtetë historike. E vërtetë historike do të mbetet edhe periudha më e zymtë e medias shqipe e ngarkuar me një censurë staliniane si pasojë e korruptimit të redaksive apo të personave kyç të mediave në gjuhën shqipe në Maqedoni.Përmes 63 pyetjeve dhe po aq përgjigjeve, të shtrira në 80 faqe libër, gazetarja, Albina Ajdari, mundohet të nxjerr në sipërfaqe edhe të vërtetën e Reisul Ulemasë së BFI-së, por edhe të Afrim Tahirit, emri i të cilit u përfol aq shumë si njeri që deshti t’ia rrëmbejë fronin Mulla Sulës. Autorja e kësaj Interviste të madhe, dëshmon njohuri të thella në gazetari dhe një profesionalizëm për t’u admiruar, sepse me një mjeshtri të rafinuar e koncepton intervistën duke e ndarë në tri paralele. Në paralelen e parë flet për fillet e “rrebelimit” të tij, i cili shënon edhe daljen në opinion të një rrebeshi të problemeve që janë grumbulluar në BFI. Në paralelen e dytë flet duke zbardhur të gjitha isharetet dhe arsyet se pse me kaq vonesë hidhet dritë mbi ato dukuri tepër të liga që po mbisunduakan në BFI dhe, në paralelen e tretë hapëron guximshëm duke i shpalosur të gjitha problemet, dukuritë, nevojën për dekriminalizimin dhe dehajdutizimin e BFI-së.
Paralelja e parë: Mjeshtri i intrigave
Pse ky shpërthim kaq i guximshëm i Afrim Tahirit, njeriut që ishte për vite të tëra krahu i djathtë i reisul ulemasë së BFI-së? Zotëri Tahiri, duke iu përgjigjur pyetjeve mjaft provokative dhe profesionale të gazetares Ajdari, në fakt flet për të gjitha djallëzitë e Sulejman Rexhepit dhe për të gjitha angazhimet e tij jetike për të thurrur, ndërtuar dhe ngritur intriga nga më të ultat, të cilat, në shikim të parë duken si angazhime për jetë fetare por që, gjithmonë lënë gjurmë të shqetësimit të interesave personale. Duke e portretizuar profilin e Sulejman Rexhepit si një interesxhi të pashoq në mesin e shqiptarëve, z. Tahiri shpalos probleme dhe dukuri duke i prezantuar ato si shumë të besueshme, sepse përfliten nga njeriu që ka qenë në vlugun e zhvillimeve të tyre. Me një qetësi prej intelektualit tashmë të pjekur, Afrim Tahiri flet me trishtim dhe me dhembje, flet me shqetësim dhe pa komplekse për Sulejman Rexhepin dhe për të bëmat e tij nën petkun e teologut. Flet për Rexhepin si për një intrigant që do t’ia kishte lakminë çdo skenarist i filmave dramë me elementë të thrilerit. Flet për afinitetet e Rexhepit për të kryer veprime gjithnjë të ngjashme si ato të një naivi, të një të papjekuri, të një fëmije trazavaç. Flet për afinitetet e tij për të vepruar jasht kornizave të ligjores, për të ndikuar mbi bashkëpunëtorët e vet për ta përqafuar veprimin e jashtëligjshëm. Flet për mjeshtrinë e tij për gënjeshtra e trillime por edhe për afinitetetet e tij që të njëjtat t’i paketojë si të konsumueshme. Afrim Tahiri flet për Mulla Sulën dhe pa kurrfarë kompleksi e zbërthen ate si lakmues të korrupsionit, të kriminalitetit dhe të shtrembërimit të së vërtetës. E zbërthen Mulla Sulën duke e zbritur në nivelin e një personi pa personalitet, pa dinjitet dhe të pabesë.
Paralelja e dytë: Varrtari finok
Pyetjet e Albina Ajdarit në megainteristën e titulluar “Bashkësinë Fetare Islame e pret një epokë e re”, janë me tërë atë bagazh të kërshërisë së opinionit të gjërë. Po thuajse e fillon dhe e mbaron këtë intervistë të madhe duke insistuar që të nxjerrë në shesh të vërtetën e asaj se pse me kaq vonesë reagon Afrim Tahiri. Duke e shuar dal nga dal këtë kërshëri, z. Tahiri flet për një “mjeshtri” djallëzore të Sulejman Rexhepit, i cili, sipas Afrimit, deri sa kanë qenë bashkëpunëtorë, gjithnjë ka qenë në aparencë si njeri i dorë së dytë duke e nxjerrë Afrim Tahirin në rreshtin e parë, për të gjithë problemet. Asnjëherë nuk ka qenë përkrahës dhe shtytës i veprimeve profesionale të Afrim Tahirit por, gjithnjë ka qenë sabotues i tyre duke e kërkuar fajin te personi imagjinar! Pikërisht për këtë aftësi të Mulla Sulës flet Afrim Tahiri. z. Tahiri thotë se, çdo reagim apo padëgjueshmëri të tij, Mulla Sula e ka interpretur si kërcënues potencial për ta eliminuar nga posti dhe për t’ia marrur fronin. Gjithashtu, flet edhe për pendesat e Mulla Sulës si dhe për përbetimet e tij pas çdo akti kriminal se, tash e tutje do të përmirësohet. Në fund, Mulla Sula na del si një varrtar finok, i eliminon nga srukturat e Rijasetit atë dhe shokët e tij pa ju dhënë kurrfarë të drejte për të zhvilluar debat të hapur, për t’i shoshitur problemet e grumbulluara dhe pa e dëgjuar të gjithë anën tjetër të medaljes. Në fund, shfaqet një shkak dhe, tërë loja zbërthehet si një kullë prej letre. Afrim Tahiri flet për një letër të hapur të një turku, qytetar vienez, i cili paskësh qenë viktimë e hijenave kryesore të BFI-së: Mulla Sulës dhe Mustafë Dautit. Që të dy e paskëshin shqyer njeriun duke u thirrur në emër të Afrim Tahirit. Ky ka qenë ai moment i kthesës vendimtare për të nisur projektin e mundimshëm të dekriminalizimit të BFI-së, e cila, sipas Afrim Tahirit, tashmë është shndërruar në një filiale e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RM.
Paraleja e tretë: Shtëpia e krimit
Natyrisht, duke u drejtuar nga kodeksi i gazetarisë si dhe nga parimet e ndershmërisë, gazetarja në asnjë mënyrë nuk pranon që të krijojë përshtypjen e njëanshmërisë në këtë megaintervistë. Prandaj ajo, pa pardon dhe pa kurrfarë hezitimi kërkon nga bashklëbiseduesi i saj që të numërohen disa fakte e argumente që do ta bënin bisedën të sinqertë dhe të pranueshme. Personazhi i kësaj megainterviste flet për shumë fakte, sjell sërë argumentash, ëstë i gatshëm që të gjitha ato t’i mbulojë edhe me dokumenta në ndonjë debat televiziv ku do t’i shihte mbarë opinioni i gjërë. Afrim Tahiri flet edhe për disa struktura qeveritare që ia mbulojnë krimin Sulejman Rexhepit, që e ndihmojnë dhe e përkrahin në veprimtarinë e tij prej krimineli profesionist. Dëshmitar e ka edhe një farë Sulejman Mutlluxhan, i cili, sipas z. Tahirit tashmë është i gatshëm edhe të dëshmojë para cilitdo gjyqësor për vjedhjen që ia kanë bërë në emër të z. Tahirit; ofron dokumente për vjedhje e korrupcion rreth blerjes së dy superapartamenteve në Ohër në vlerë prej një milion euro; flet për bashkëpunimin e Mulla Sulës me ish shefin e DSK-së; ofron dëshmi të gjallë për korruptimin e Mulla Sulës përmes ROLEX-it 36 mijë dollarësh. Ofron fakte për familjarizimin e institucioneve fetare të vendit, flet për nepotizmin e e tmerrshëm të tyre, si dhe për sërë argumentesh të tjera të mjaftueshme për procese të rënda gjyqësore. Fare në fund flet edhe për përpjekjet e kota të Mulla Sulës që tërë atë reagim të arsyeshëm të Nismës për Reforma të BFI-së ta shtrembërojë duke e cilësuar atë reagim si “puç” por që, tashmë në proceset gjyqësore po del se njerëzit e Mulla Sulës kanë qenë ata që kanë ushtrar dhunë dhe krim e jo “rrebeluesit”.
Nuk ka më debat
Sipas z. Afrim Tahirit, i cili e gjenë mundësinë për ta shprehur edhe anën tjetër të së vërtetës, tashmë i hedh poshtë të gjitha mundësitë e ndonjë debati për ta tejkaluar problemin. Z. Tahiri thotë se tashmë problemi ka kaluar nëpër procese gjyqësore dhe se kriminelët duhet të përfundojnë para drejtësisë, ndërsa të ndershmit para xhematit.Megaintervista ka dinamikën e duhur, ka rrjedhshmëri, ka fillim, shtjellim dhe zbërthim, ndaj dhe lexohet me një frymë. Është materie që të mban të mbërthyer, materie që si një ushëtimë të zgjon nga gjumi i thellë dhe të bën të reflektoshë mbi problemet të cilat më së shumti bijn mbi kokë të çështjes kombëtare. E vërteta vonon por kurë nuk mund të heshtet. Nuk ka para që mund ta kriminalizojë apo ta hesht. E vërteta është gjëja më e pëlyeshme e Zotit, prandaj edhe do të triumfojë. Fillimisht i duhet të publikohet. Prandaj, nënvizon Afrim Tahiri në megaintrvistë, derdhen aq shumë para nëpër portale e media elektronike shqiptare të vendit, para që grumbullohen nga fitri e zeqati për ta publikuar të vërtetën dhe jo për ta ngulfatur të. Kush ngulfat të vërtetën, ka një fund të trishtueshëm. Përmbyllja e megainteristës sa është e trishtueshme aq më shumë është premtuese për një perspektivë më të ndritshme. Këtë intervistë të madhe, tashmë të botuar edhe në gjuhën maqedonase, Afrim Tahiri e përbyllë me “E jona është të punojmë, Kurani na mëson se gjendjen e një populli nuk e ndryshon Allahu, pa u ndryshuar, pa u përmirësuar, pa bërë përpjekje vetë populli! Ne pra do të vazhdojmë, rezultatet do të vijnë atëherë kur ne do ta meritojmë ndryshimin.”
/Gazeta LAJM/