Nën kushte të rrepta sigurie, samiti i G20-ës ndryshe nga herët e tjera, ditën e diel nisi me një minutë heshtje në nder të atyre që humbën jetën në sulmet vdekjeprurëse të Parisit.
Samiti dyditor po mbahet në Antalia, ku presidenti turk Recep Tayyip Erdogan nuk la pa kujtuar edhe sulmet terroriste me të cilat u përball vendi i tij më parë në Suruc dhe Ankara.
Aktet e rënda e ndryshuan boshtin e bisedimeve që ky samit u mblodh, ku ekonomia, refugjatët dhe ndryshimet e klimës do të ishin edhe pjesa kryesore e tyre.
Presidenti Obama u zotua se vendi i tij është në krah me autoritetet franceze në zbulimin terroristëve përgjegjës për sulmin më të rëndë në Paris, që nga Lufta e Dytë Botërore. Në një takim me presidentin Erdogan, kreu i Uashingtonit u tha në mënyrë simbolike se, “qiejt janë errësuar nga sulmet e tmerrshme që mbërthyen Parisin”.
“Diskutimi i sotëm ishte shumë i frytshëm për të koordinuar punën që në do të zhvillojmë bashkë, për të vënë nën kontroll më të rreptë kufirin ndarës mes Turqisë dhe Sirisë, si edhe do të shtojmë bashkëpunimin për të siguruar një tranzicion të paqtë në Damask. Vrasja e njerëzve të pafajshëm në bazë të një ideologjie të gabuar nuk është vetëm një sulm ndaj Francës, jo vetëm një sulm ndaj Ankarasë, por një sulm ndaj botës së qytetëruar”, tha Obama.
Udhëheqësit e 20 vendeve më të fuqishme të botës ranë dakord jo vetëm të rrisin kontrollin e kufijve, por edhe sigurinë e aviacionit apo edhe identifikimin e personave që hyjnë çdo ditë në Europë. Krerët e G20-ës përsëriten edhe njëherë angazhimin se janë më të bashkuar se kurrë në luftën kundër terrorizmit.