I kërkohet Moskës të tërheqë trupat e saj
Liderët e 20 ekonomive më të mëdha të botës nisën këtë të Martë në Bali samitin dy ditor, ku vëmendja është lufta në Ukrainë dhe kriza globale që ka shkaktuar.
Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se shumica e liderëve pjesëmarrës kanë gati një rezolutë që dënon fuqishëm luftën ruse dhe që i bën thirrje Moskës të tërheqë trupat, që synohet të hidhet për miratim. Sipas Reuters, në rezolutën me 16 faqe shkruhet se lufta në Ukrainë po shkakton vuajtje çnjerëzore dhe po thellon krizën ekonomike globale.
Spikatën deklaratat e kryeministrit britanik Rishi Sunak, i cili e quajti “barbar” sulmin rus ndaj Ukrainës dhe i bëri thirrje, që ushtarët e Moskës të largohen menjëherë nga ky vend. Është hera e parë që nga nisja e luftës që një kryeministër britanik përballet me zyrtarët e lartë rusë. Në Bali, delegacioni rus kryesohet nga ministri i jashtëm Sergei Lavrov.
Vladimir Putin vendosi të mos jetë i pranishëm, por t’i drejtohet samitit me një videomesazh. Kështu bëri edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, i cili kërkoi që lufta në Ukrainë të ndalet. Në aneksin e këtij takimi, presidentët e SHBA dhe Kinës zhvilluan një takim 3-orësh, ku u përballën ndër të tjera edhe për Tajvanin, të cilin Shi Xhinping e quajti “çështje të brendshme të Kinës”.