Ministrat e financave të grupit G7 paralajmëruan Rusinë për pasoja “të mëdha” ekonomike, nëse vendos që ta pushtojë Ukrainën.
Grupi i vendeve më të industrializuara G7 premtoi ndihmë për ekonominë ukrainase.
“Grumbullimi i vazhdueshëm ushtarak rus në kufijtë e Ukrainës është shkak për shqetësim të madh. Ne, ministrat e financave të G7-ës, theksojmë gatishmërinë tonë për të reaguar menjëherë dhe në mënyrë të vendosur për të mbështetur ekonominë ukrainase”, u tha në deklaratën e përbashkët.
“Çdo agresion i mëtejmë nga Rusia ndaj Ukrainës do të pasohet me përgjigje të shpejtë, të koordinuar dhe të fuqishme”, thanë ministrat e G7-ës.
“Ne jemi të përgatitur që bashkërisht të vendosim sanksione ekonomike dhe financiare, të cilat do të jenë masive dhe do të shkaktojnë pasoja të menjëhershme ndaj ekonomisë ruse”, u tha në deklaratë. Në G7 bëjnë pjesë Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Sipas inteligjencës amerikane, Rusia ka grumbulluar 130 mijë trupa përgjatë kufijve të Ukrainës dhe ka vendosur armatime të avancuara. Perëndimi thotë se grumbullimi mund të jetë përgatitje e Moskës për ta pushuar Ukrainën, por Kremlini mohon se ka plane të tilla.
Ukraina ka kërkuar një takim urgjent me Rusinë dhe dhjetëra shtete evropiane, për të marrë një shpjegim lidhur me grumbullimin e forcave ruse në kufi me Ukrainën. Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se Rusia ka injoruar kërkesën zyrtare të Kievit për shpjegim pse Moska ka pozicionuar mbi 100,000 trupa dhe armë të avancuara përreth Ukrainës.
“Ukraina po thërret një takim me Rusinë dhe të gjitha shtetet anëtare në 48 orët e ardhshme për të diskutuar për lëvizjet e trupave ruse përgjatë kufirit tonë”, tha Kuleba. Ukraina e ka bërë këtë kërkesë përmes Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, pjesë e së cilës është edhe Rusia.