Një gjykatë ushtarake në Mianmar dënoi gazetarin amerikan, Danny Fenster, me 11 vjet burgim. Fenster u shpall fajtor për shkelje të ligjit të imigracionit, aleanca të paligjshme dhe nxitje të mospajtimit me ushtrinë.
Në fillim të javës, kundër tij u ngritën edhe dy akuza shtesë, për kryengritje dhe terrorizëm – vepra këto që mund të dënohen me burgim të përjetshëm.
Gjyqi i tij për akuzat e reja do të fillojë më 16 nëntor. Fenster, 37 vjeç, redaktor i ueb-faqes Frontier Myanmar, është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Jangonit, në muajin maj.
Ai është në mesin e dhjetëra gazetarëve të arrestuar në Mianmar, prejse ka ndodhur puçi ushtarak në muajin shkurt. Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për lirimin e Fensterit./REL