Përshkallëzimi i frikësimit ushtarak që po i bën Kina Tajvanit tregon se duhet të përgatitemi për luftë, pohoi për CNN ministri i jashtëm tajvanez, Joseph Wu.
Paralajmërimi i tij erdhi një javë pasi ishulli raportoi inkursionin më të madh ditor nga avionët luftarakë kinezë në zonën e vetëshpallur ajrore të mbrojtjes së ishullit të vetëqeverisur. Edhe pse 28 avionët e Kinës, që përfshinin dhe bombardues, nuk e shkelën hapësinorë ajrore të Tajvanit apo ligjin ndërkombëtar, ato ishin qartazi një demonstrim force nga ana e Ushtrisë Clirimtare të Popullit.
“Si vendimmarrës në Tajvan, ne nuk mund të rrezikojmë, duhet të jemi të përgatitur”, tha Wu. “Kur qeveria kineze thotë se nuk do të heqë dorë nga përdorimi i forcës dhe kryen stërvitje ushtarake masive rreth Tajvanit, duhet ta marrim seriozisht”, u shpreh ai.
Wu, ministër i jashtëm që prej 2018-tës, u akuzua nga Pekini se është një “separatist për jetë a vdekje”, pasi shefi i diplomacisë tajvaneze deklaroi në muajin maj se vendi tij do të luftojë “deri në pikën e fundit të gjakut, nëse sulmohet nga Kina”. Aktivitetet kineze kanë shënuar një përshkallëzim të ri pasi përfshijnë dërgimin e avionëve luftarakë dhe të bombarduesve, në vend të avionëve të zbulimit, siç ndodhte zakonisht më parë.