Një parti e ekstremit të djathtë në Gjermani po planifikon të dorëzojë një padi ligjore kundër Kancelares gjermane, Angela Merkel, duke e akuzuar atë për “trafikim qeniesh njerëzore” pas lejimit të mijëra azilkërkuesve në vendin e saj, pasi u bllokuan në kufirin hungarez.
Alternativa antiemigracion për Gjermaninë (AfD) bëri të ditur këtë të premte se do të dorëzonte aktpadinë në zyrën e prokurorit publik të Berlinit, me shpresën që mbi bazën e saj të nisnin edhe procedimet paraprake kundër Kancelares.
“Angela Merkel ka operuar si një trafikante”, tha zëvendëskryetari i kësaj partie, Alexander Gauland për reporterët.
Duke iu përgjigjur kësaj lëvizjeje të partisë “AfD”, zëdhënës i Merkelit, Steffen Seibert tha se Gjermania është qeverisur nga sundimi i ligjit dhe se qytetarët kanë qenë të lirë të ngrejnë aktpadi sa herë që ta kenë parë të arsyeshme.
Muajin e kaluar, Merkel tha se azilkërkuesit ishin të mirëpritur në Gjermani, duke evituar një krizë humanitare pasi Hungaria, një kufi i jashtëm lindor i zonës “Schengen” të Bashkimit Europian, u përpoq të ndalte hyrjen e emigrantëve, shumica e të cilëve vinin nga Lindja e Mesme dhe Azia, në tokën e saj nga Serbia, teksa kjo e fundit nuk është vend anëtar i BE-së.
Që prej atëherë, një numër jashtëzakonisht i madh refugjatësh kanë mbërritur në Gjermani, duke çuar në limite aftësitë e autoriteteve gjermane për t’i akomoduar ata, e duke çuar në një forcim të opinionit publik mbi krizën aktuale.
“Kapacitetet absorbuese të Gjermanisë janë tejkaluar”, tha kreu i partisë “AfD”, Frauke Petry, i cili shtoi se qeveria është e përçarë në lidhje me këtë krizë dhe nuk mundet të ofrojë zgjidhje.