Prej ditësh ishte diskutuar shtyrja e masave kufizuese ndaj koronavirusit.
Tani kancelarja Merkel dhe kryeministrat e landeve ranë dakord për ashpërsimin e rregullave. Ne mbledhjen e Berlinit u pohua se gjendja është dramatike.
“E kam thënë dhe përsëritur vazhdimisht se muajt e dimrit, siç na e theksuan edhe ekspertët, janë muajt kur pandemia mund të mbërrijë kulmin e virulencës. Dhe me mutacionin që ka pësuar virusi, e që është pikasur tashmë në vend, shtyrja e masave te izolimit është e pashmangshme”, tha Merkel.
Me këtë arsyetim, kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrat e landeve vendosën ashpërsimin e masave kufizuese: Federata dhe landet do t’i reduktojnë më tej lirinë e lëvizjes për njerëzit në të ashtuquajturat hotspote. Sikurse njoftoi në një konferencë shtypi kancelarja pas konsultimeve disaorëshe me krerët e landeve, në rajonet me një incidencë shtatë ditore prej më shumë se 200 raste infektimesh për 100.000 banorë liria e lëvizjes do të jetë e mundur vetëm brenda një segmenti deri në 15 km nga vendbanimi.
Përjashtime do të ketë vetëm për arsye të forta.Gjithashtu është përforcuar edhe më shumë kufizimi i kontakteve: anëtarët e një familjeje lejohen të takohen vetëm me një person nga një familje tjetër. Deri tani lejoheshin të takoheshin maksimumi deri në pesë persona nga maksimumi dy familje. Kancelarja foli për mbingarkesë të reparteve të reanimacionit nëpër spitale, ndërsa tha se disa nga këto të fundit janë përballur me “situata në limite”.