Ministri Gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn tha se është i hapur për përdorimin e vaksinave kundër Covid-19 të prodhuara nga Rusia ose Kina, ndërsa në mbarë Europën është hapur debati mbi sasinë e kufizuar të dozave dhe vetë Komisioni Evropian është përfshirë në mosmarrëveshje ligjore me firmën AstraZeneca.
“Nëse një vaksinë është e sigurt dhe efikase, pa marrë parasysh se në cilin vend është prodhuar, atëherë sigurisht që mund të ndihmojë në mposhtjen e pandemisë”, tha Spahn për gazetën Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung.
Që një gjë e tillë të ndodhë, vaksina duhet të kalojë nëpër një proces rigoroz autorizimi. Rusia njoftoi të premten se është në gjendje të furnizojë BE-në me 100 milionë doza të vaksinës Sputnik V në tremujorin e dytë të këtij viti, doza të mjaftueshme për të vaksinuar 50 milionë vetë.
Një kërkesë për miratimin e vaksinës ruse është dorëzuar pranë Agjencisë Europiane të Barnave (EMA). Kur Moska njoftoi Gushtin e kaluar se kishte gati vaksinën e parë, pati mjaft skepticizëm, pasi për Sputnik V nuk kishin përfunduar ende plotësisht provat klinike.
Të dielën, Gjermania raportoi një shtesë prej 11 192 infeksionesh, pak më poshtë se rekordi i 12,257 i regjistruar një javë më parë.