Prokurori federal në Gjermani njoftoi se janë ngritur akuza për spiunazh ndaj një shkencëtari rus të punësuar në Universitetin e Bavarisë, i cili dyshohet se ka transferuar njohuri të teknologjisë hapësinore në Moskë.
Shkencëtari që mendohet se ka spiunuar për vendin e tij të origjinës, thuhet të ketë dërguar të dhëna mbi projekte kërkimore në fushën e teknologjisë së hapësirës ajrore.
Më konkretisht, bëhet fjalë për gjendjen e zhvillimit të raketës evropiane Ariane dhe për të dhëna nga kërkimi i materialeve bazë. Jo më larg se dhjetor teleskopi James Webb u lëshua në hapësirë me një raketë Ariane 5.
Sipas informacioneve nga Prokuroria Federale, i dyshuari është arrestuar në qershor të vitit të kaluar dhe që nga ajo kohë ndodhet në paraburgim. Në dhjetor, Prokuroria Federale depozitoi një akuzë për “veprimtari të agjenturore të shërbimit sekret” në senatin e mbrojtjes shtetërore të Gjykatës së Apelit të Mynihut.
Në momentin e arrestimit, i pandehuri punonte si asistent shkencor në një katedër të shkencave natyrore dhe teknike në një universitet bavarez. Për informacionet e transmetuara, spiuni i dyshuar besohet se ka marrë gjithsej 2500 euro.