Reagime nga BE dhe Rusia pas arrestimit të mijëra vetëve në Rusi pas protestave të fundjavës. Në gati 100 qytete në Rusi disa mijëra vetë dolën në rrugë në mbështetje të kritikut të Kremlinit, Aleksej Navalny.
Pas protestave në fundjavë Gjermania ka kërkuar lirimin e protestuesve rusë. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas është shprehur, se “edhe sipas kushtetutës ruse, në Rusi gjithsekush e ka të drejtën të shprehë mendimin e tij dhe të demonstrojë.” Heiko Maas e bëri deklaratën para konsultimeve me ministrat e Jashtëm të BE në Bruksel të hënën. Prandaj ne presim, që ata që kanë protestuar paqësisht të lirohen, tha Maas. Nëse BE do të reagojë pas veprimit të ashpër të forcave ruse në funjavë, Maas nuk u shpreh. Kurse ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn tha, se “Navalny i lirë do të ishte startimi dhe mundësia për një marrëdhënie më të mirë mes BE-së dhe Rusisë”.
Me ashpërsi forcat policore u përpoqën në fundjavë ta bënin të padukshëm zemërimin e rusëve që dolën në rrugë për të protestuar kundër burgosjes së kritikut të Kremlinit, Aleksej Navalny. Të shtunën në gati 100 qytete në Rusi mijëra vetë protestuan në mbështetje të Navalnyt. Sipas të dhënave të aktivistëve të të drejtave të njeriut u ndaluan më shume se 3500 vetë nga policia.
Të shtunën në qendrën e Moskës, sipas të dhënave të saj, u ndalua nga policia edhe bashkëshortja e Navalnyt, Julia Navalnaja. “Më falni për cilësinë e keqe të fotos” shkroi Julia Navalnaja të shtunën në një foto të postuar në instagram. Fotoja tregon atë në një kamion, ku mbahen të burgosurit në Moskë. Në Moskë janë grumbulluar disa mijëra vetë, ndërkohë që policia është me prezencë të madhe në qytet.