Të enjten, Gjermania njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit ka shënuar 6,638 raste të të infektuarve me koronavirus, duke arritur shifrën më të lartë ditore që nga fillimi i pandemisë.
Rritja e numrave erdhi vetëm disa orë pasi kancelarja gjermane, Angela Merkel u takua me udhëheqësit e 16 shteteve federale të Gjermanisë për të diskutuar vendosjen e kufizimeve më të ashpra për të ngadalësuar përhapjen e virusit.
Numri më i lartë i rasteve të reja të regjistruara më parë në një ditë ishte 6,294, më 28 mars, sipas shifrave nga qendra e kontrollit të sëmundjes së Institutit Robert Koch.
Kancelarja Merkel të mërkurën në mbrëmje njoftoi kufizime të reja për numrin e njerëzve që mund të tubohen, si dhe mbajtjen e maskës mbrojtëse në vende të mbushura me njerëz.
Sipas masave të reja, nëse një zonë regjistron më shumë se 35 infeksione të reja për 100,000 njerëz gjatë shtatë ditëve, maskat do të bëhen të detyrueshme në të gjitha vendet ku njerëzit kanë kontakt të ngushtë.
“Duhet të parandalojmë një rritje të pakontrolluar të rasteve”, ka thënë Merkel.
Numri i njerëzve që lejohen të mblidhen gjithashtu do të jetë i kufizuar në 25 në vende publike dhe 15 në hapësira private.
Sapo të tejkalohet një prag prej 50 infeksionesh të reja për 100,000 banorë, do të zbatohen kufizime edhe më të ashpra, raporton AFP./REL/