Dhjetë vjet pas largimit nga Bosnje-Hercëgovina, ushtria gjermane rikthehet në këtë vend. Qeveria gjermane mori vendimin të dërgojë deri në 50 trupa në kuadër të misionit paqeruajtës EUFOR/Althea në Bosnjë-Hercegovinë, me objektivin të ruhet stabiliteti në prag të zgjedhjeve të tetorit.
Kontingjenti i parë me 25 pjesëtarë të Bundesëehrit udhëton drejt Bosnjes në muajin gusht, me një mandate të parashikuar fillimisht për një vit. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, e argumentoi këtë shtim të prezencës gjermane në rajon me rëndësinë thelbësore që ka për BE-në dhe vendet anëtare stabiliteti dhe siguria në Bosnjë-Hercegovinë dhe Ballkanin Perëndimor.
“Gjermania do të japë ndihmesën e saj në ruajtjen e stabilitetit në prag të zgjedhjeve, në tetor 2022”, tha ai.
Grupi më i madh opozitar, CDU/CSU e përshëndeti vendimin, por kritikoi numrin e ushtarëve. Folësi i këtij grupi për çështje të politikës së jashtme, Jürgen Hardt, u shpreh në një deklaratë për media, se limitimi i numrit të ushtarëve deri në 50 nuk mjafton. Sipas Hardt, Ministria e Jashtme e Gjermanisë kishte kërkuar një numër më të lartë.
“Një shans i humbur i qeverisë për të dhënë një sinjal jo vetëm simbolik, por të fortë, në këtë kohë të rëndësishme në një rajon me rëndësi strategjike, siç është Ballkani Perëndimor”, tha Hardt.
Sinjal më të fortë kanë kërkuar edhe deputetët e partisë së koalicionit qeveritar, SPD, Gruene, FDP, të cilët kanë përgatitur një projekt-rezolutë, ku kërkojnë një angazhim më të fuqishëm të Gjermanisë në Bosnjë-Hercegovinë, jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe atë civil.