Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka mandatuar për kryeministër bartësin e listës “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, Zdravko Krivokapiq.
Zdravko Krivokapiq është mandatuar për krijimin e qeverisë së re, i cili do të përgatisë programin dhe do të propozojë përbërjen e re brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuta e Malit të Zi, thuhet në deklaratën e Gjukanoviqit, raporton rtcg.me.
Ndërkohë, udhëheqësi i grupit parlamentar – URA, Dritan Abazoviq, tha se sot është dëshmuar se shoqëria malazeze është më e pjekur nga sa mendonim.
“Unë mendoj se presidenti i Malit të Zi e ka pranuar realitetin, i cili është shumë i rëndësishëm dhe se ne do të fillojmë me bashkëjetesën”, tha Abazoviq.
Ai gjithashtu tha se qytetarët duhet të jenë të relaksuar dhe se pjesa më e vështirë e punës është që kryeministri i caktuar të propozojë përbërjen e qeverisë sa më shpejt të jetë e mundur.
“Unë mendoj se qeveria e re do të jetë evropiane, civile dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve”, përfundoi Abazoviq.
Ndryshe, Zdravko Krivokapiq ka pranuar nominimin duke thënë se deri më 8 nëntor, Mali i Zi do ta ketë qeverinë e re.