Aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër presidentit Thaçit dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, që nga 24 prilli po pret të konfirmohet, ose të hidhet poshtë. Për ta konfirmuar ose hedhur poshtë, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka afat edhe 17 ditë. Dhomat e Specializuara kanë sqaruar për Express procedurat në vijim lidhur me këtë çështje.
Nga Dhomat e Specializuara në Hagë nuk kanë pohuar e as s’kanë mohuar nëse janë proceduar për gjykim akuzat ndaj Thaçit e Veselit për krime lufte. Në një përgjigjje për Gazetën Express, Dhomat e Specializuara kanë thënë se një aktakuzë mund të konfirmohet dhe të mos bëhet publike menjëherë, pa dashur të specifikojnë nëse rregulli i njëjtë është aplikuar edhe në rastin e Thaçit e Veselit.
“Derisa një aktakuzë të bëhet publike, ajo mbetet konfidenciale, së bashku me procedurat në lidhje me rishikimin e saj. Gjyqtari i procedurës paraprake, në varësi të specifikave të çështjes individuale, ka deri në gjashtë muaj kohë për të marrë një vendim nëse do ta hedhë poshtë ose do ta konfirmojë aktakuzën. Në të njëjtën kohë, rregullat parashikojnë një numër skenarësh që mund të rezultojnë në një aktakuzë të konfirmuar që ajo të bëhet publike më vonë se gjashtë muaj pas depozitimit të saj”, thuhet në përgjigjjen e shefes së Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara, Angela Griep.
Dhomat e Specializuara përmendin një rregull, sipas të cilit, gjyqtari i procedurës paraprake në disa raste mund të urdhërojë që aktakuza e konfirmuar të mos publikohet për një kohë.
“Për shembull, rregulli 88 parashikon që gjyqtari i procedurës paraprake mund të urdhërojë moszbulimin e përkohshëm të një aktakuze të konfirmuar për arsye sigurie ose për të shmangur ndërprerjet në procedurë. Në çdo rast, një aktakuzë e konfirmuar do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të akuzuarit para Gjykatës”, thuhet në përgjigjjen e Dhomave të Specializuara.
Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar i qëndron prapa njoftimit të 24 qershorit, ku publikisht bënte të ditur se kanë deponuar në Dhomat e Specializuara aktakuzën e pakonfirmuar kundër Thaçit, Veselit dhe 11 të tjerëve.
“Çështja e konfirmimit të një aktakuze është çështje e Dhomave të Specializuara dhe gjyqtarit të procedurës paraprake. ZPS nuk deklarohet më shumë sesa ç’është thënë në deklaratën e 24 qershorit”, ka thënë për Express, Christopher Bennett, nga Zyra e Prokurorit të Sepcializuar.
Presidenti Hashim Thaçi dhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli kanë zgjedhur të heshtin këto ditë kur nuk ka mbetur edhe shumë kohë për t’u vendosur nëse atyre atyre do t’u hiqet dyshimi për kryerjen e krimeve të pretenduara, ose nëse do të detyrohen të udhëtojnë drejt Hagës për t’u përballur me procesin gjyqësor. Presidenca dhe PDK-ja nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express se a kanë marrë ndonjë njoftim nga Haga shefat e tyre.
Më 24 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ua kishte paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim nga Gjykata, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndër të cilat vrasje, zhdukje e detyruar të personave, përndjekje dhe tortura.
Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzën e ngritur nga Prokurori i Specializuar përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës, si dhe kundërshtarë politikë.
Në një deklaratë për shtyp, Prokurori i Specializuar kishte thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë se mund t’i provojë të gjitha akuzat e paraqitura.
Tashmë, ajo çfarë dihet është se gjykatësi francez i Dhomave të Specializuara, Nicolas Guillou është duke e shqyrtuar këtë aktakuzë për të vendosur deri më 24 tetor nëse do t’i konfirmojë akuzat. /GazetaExpress/