Gjykata Speciale, Zhbogar: Refuzimi dëmton Kosovën

Pas dështimit të Kuvendit të Kosovës që të miratojë ndryshimin e kushtetutës për të lejuar themelimin e gjykatës speciale, përfaqësues ndërkombëtarë dhe të qeverisë thanë se deputetët morën vendim të dëmshëm për Kosovën, ndërsa zëvendëskryeministri Hashim Thaçi paralajmëroi se amendamentet do të procedohen sërish në Kuvend.

 

Përveç deputetëve të opozitës Vetëvendosje, AAK, Nisma , deputetët e të cilave ishin në sallë, por  nuk morën pjesë në votim, 7 votat  kundër dhe 2 abstenimet ishin nga partia  e Thaçit.

 

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës morën një vendim. Është përgjegjësia e tyre, ne do ta respektojmë këtë vendim, por duhet ta them që jemi shumë të zhgënjyer. Në lidhje me atë që do të ndodhë më tej, do të presim dhe do të shohim”, deklaroi pas votimit Samuel Zhbogar, përfaqësues i Bashkimit Europian në Kosovë.

 

Ndërsa në nje deklaratë zyrtare të lëshuar nga zyra e BE-së në Prishtinë thuhet se “Kosova nuk ka alternativë tjetër përpos që t’i trajtojë supozimet serioze që dalin nga raporti i vitit 2011 të Këshillit të Europës. Në këtë mënyrë BE-ja do të vazhdojë të punojë me institucionet e Kosovës sic  përkon me konfirmimin e zotimeve që dalin nga Letër këmbimet 2014”.

 

“Votimi kundër që nuk ngre këtë gjykatë, Kuvendi i Kosovës, apo ata që kanë votuar kundër, kanë bërë dëmin më të madh që mund t’i bëhet Kosovës. Ne do të vazhdojmë menjëherë sërish dhe shpresoj në guximin qytetar, përkushtimin kombëtar të njerëzve që të votojnë dhe deputetët kanë legjitimitetin qytetar për të marrë vendim në interes të shtetit”, deklaroi zv.kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

 

Ndërsa përfaqësuesit e opozitës të cilët gjatë gjithë kohës kanë kërkuar që mos të votohet formimi i Gjykatës Speciale u shprehën të lumtur për betejën e fituar në Kuvend.

 

“Këtu është koha e konsensusit kombëtar që të mos kalojë asnjë rezolutë e Rusisë në Këshillin e Sigurimit, edhe që ta kundërshtojmë ne bashkë me Shqipërinë, bashkë me të gjitha shtetet që perëndimore që na kanë njohur, që të kundërshtojmë çdo rezolutë të Rusisë në Këshillin e Sigurimit”, tha Glauk Konjufca, kreu i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

 

“Konsiderojmë që OKB, prej 8 vitesh që është në Kosovë, ishte përgjegjëse për sundimin e ligjit, për ndjekjen e të gjitha krimeve të supozuara. Ishte për gati një dekadë. Ai kapitull tashmë është i mbyllur. Kosova sot është shtet sovran dhe i pavarur dhe askush nuk ka të drejtë të cënojë integriteti dhe sovranitetin e saj dhe kjo u pa sot edhe në vendimin që mori Kuvendi, pavarësisht subjekteve politike”, tha Donika Kadaj Bujupi, shefe e Grupit Parlamentar të AAK-së.

 

Pas dështimit të institucioneve kosovare për ta miratuar formimin e Gjykatës Speciale, pritet që sipas paralajmërimeve të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara, çështja të kalojë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

 

Por deklararat e zëvëndëskryeministrit Thaci pas seancës së dështuar, se amendamentet mund të kthehen sërish në Kuvend, lënë të hapur mundësinë që çështja nuk do të procedohet menjëherë nga ndërkombëtarët.

Leave a Reply