HEJZA me Anila Krutin, shkrimtare për fëmijë
Anila Kruti ka lindur në qytetin e Përmetit. Ka përfunduar studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Ka punuar si mësuese dhe me pas ka kryer master shkencor për psikologji. Pastaj ka punuar pedagoge për letërsinë për fëmijë. Është e autore e librave “Përtej skajeve me ëndrrën”,“Psherëtima e gjethes”,“Qielli s´pranon arna ”si dhe autore e librave për fëmijë “Udhëtimet fantastike të Armirit” ,“Flutura e majit” e cila vlerësohet me çmimin “Libri më i mirë për fëmije” nga Shoqata e Botuesve të Kosovës në Panairin e përvitshëm që u organizua në Prishtinë në qershor të vitit 2019.
HEJZA: Shumë krijues letrarë e pak nga ata krijojnë për fëmijë! Krijuesit për fëmijë janë ata që e rrisin dashurinë tek fëmijët për librin, që e ngacmojnë tek fëmijët fantazinë për t’u bërë shkrimtar, i hapin dyert e botës fëmijërore ku mbruhet motivi për të shkruar, për të krijuar, për ta dashur gjuhën… Cili është ai çelës që u mundëson shkrimtarëve për të depërtuar në botën fëmijërore për të ndihmuar në këtë mbrujtje?
ANILA KRUTI: Në fakt, letërsia për fëmijë është një nga krijimtaritë letrare më të bukurat dhe më të vështirat njëkohësisht. Bota e bukur, fantazia, ëndrrat fëmijërore, shpirti i tyre i çiltër të mundëson të hysh në universin e tyre dhe të krijosh për ta. Letërsia për fëmijë ka një rol të rëndësishëm në formimin estetik në përgjithësi dhe rritjen e personalitetit të fëmijëve në veçanti duke lexuar dhe mësuar nëpërmjet veprave letrare, posaçërisht për ta. Thënë ndryshe, në krijimtarinë letrare për fëmijë, gjithçka duhet të jetë me masë, përshtatur për moshën dhe psikologjinë e tyre. Natyrisht, nuk duhet ekzagjeruar dhënia e moralit, por nëpërmjet krijimit, lojës mesazhit, ata e mësojnë atë çka ka trajtuar autori. Fëmijët duhet të mësojnë duke lexuar dhe argëtuar. Unë kam parasysh Tasim Gjokutajn, Bedri Deden apo Gaqo Bushakën e të tjerë që lexohen me endje nga çdo brez, sepse kanë bërë letërsi të vërtetë për fëmijë.
HEJZA: Gjyshet tona na kanë rrëfyer përralla të cilat nuk i kemi hasur askund në letërsinë për fëmijë, as në letërsinë shqiptare, por as në letërsinë botërore! Na kanë rrëfyer se i kanë të dëgjuara nga gjyshet e tyre, të cilat, nuk kanë ditur as shkrim dhe as lexim! Janë autorë të rrëfimeve origjinale vetë gjyshet dhe stërgjyshet tona, apo ka ekzistuar dikur shkrimtari për fëmijë, i cili ka shkruar për vëllain e vogël të mençur, për kuçedrën, dragoin, bajlozin, puset e thella, degëzimet nëntokësore të puseve, për zogun e madh që ka bartur mbi flatra një popull të mirë, për vetëtimën që ka çarë kodra, për murmurimën që ka gurëzuar luftëtarë etj.etj.
ANILA KRUTI: Gjyshet tona kanë qenë fondi i artë i mençurisë popullore. Ato rrëfenin përralla dhe rrëfenja të jashtëzakonshme. Diku të dëgjuara e diku të improvizuara, të rrëfyera aq bukur, tek ne transmetonin mbi të gjitha cilësi dhe virtyte, sepse ne kemi pasur në traditë heronj, mite, trima, kreshnikë, të bukurat e dheut, cilësi e vlera që janë transmetuar nga një vend në tjetrin, duke u bërë edhe pjese e gojëtarisë së gjyshërve dhe folklorit. Gjyshet tona nuk kishin shkollë, por kishin dijen popullore nga të parët tanë, virtyte të rralla për familjen dhe shoqërinë që na i transmetonin me aq dashuri dhe dhembshuri. Unë i jam mirënjohëse gjyshërve të mi të mirë, të cilët më kanë rrëfyer me mençurinë e tyre një botë të bukur nga gojëtaria e vendit të tyre, por edhe folklori, e cila ka ndikuar në formimin tim, sigurisht meritë e tyre është që ata më kanë bërë: të dua fjalën e bukur!
HEJZA: Në ç’nivel dhe në ç’pozita e kemi sot letërsinë për fëmijë? Cili është raporti i shoqërisë sonë me krijuesit letrarë për fëmijë?
ANILA KRUTI: Letërsia për fëmijë sot është duke u zhvilluar në forma të ndryshme. Në fakt, teknologjia zë një pjesë të rëndësishme te fëmijët, gjë që e ka zëvendësuar librin konkret me librin elektronik, duke iu larguar kështu bibliotekave dhe librarive. Letërsia për fëmijë ka filluar të gjallërojë më shumë këto vite, por fatkeqësisht, i jepet rëndësi nëpër panaire vjetore, kur në fakt mendoj se një libër cilësor duhet të shkoj te fëmijët sapo të dalë në qarkullim dhe për këtë duhet nxitur shoqëria për të kuptuar që: “Libri është dielli që ngroh shpirtin e fëmijës”!
HEJZA: Sa janë të vetëdijshëm shkrimtarët për fëmijë për rolin dhe peshën e tyre në shoqërinë tonë shqiptare! Këta shkrimtarë bëjnë shumë për ata që janë ardhmëria e shoqërisë sonë, por, sa këta bëjnë për vetveten! Apo, zëri i tyre është fare i papërfillshëm, sepse janë shumë pak! Si pak që janë, a e gëzojnë respektin e “shumicës”!
ANILA KRUTI: Të shkruash për fëmijë është përgjegjësi në radhë të parë për të transmetuar te ata vlera si në sfondin artistik, edhe në atë intelektual. Them kështu, sepse fëmijët janë e ardhmja nga ku personaliteti i tyre duhet ngritur mbi baza të konsoliduara. Përsa i përket shkrimtarëve për fëmijë, unë mendoj që shkrimtarë të rinj duhen promovuar dhe mbështetur, jo vetëm nga shtëpitë e botuese, por edhe shkollat. Një vepër e mirë letrare duhet bërë pjesë e fondit të bibliotekave shkollore dhe vetjake. Përsa i përket shoqërisë shqiptare edhe përtej kufijve, duhet të nxisin fëmijët e tyre të jenë sa më pranë qasjes se autorëve shqiptarë, sepse në fund të fundit këta autorë përcjellin vlerat dhe traditën e vendit tonë.
HEJZA: Në ç’nivele e kemi kritikën letrare për letërsinë për fëmijë? Kush e vlerëson këtë letërsi? Në ç’mendime kritike objektive, apo, në ç’fakte mbështetemi kur konstatojmë se kemi (apo nuk kemi) letërsi për fëmijë!
ANILA KRUTI: Duhet thënë që letërsi për fëmijë kemi, dhe kemi shumë autorë cilësore dhe vlejnë të përçohet krijimtaria e tyre në duart e fëmijëve. Duhet të funksionojë një koordinim i mirë mes shtëpive botuese dhe shkollave për të arritur atje ku duhet. Në fakt, kritikë për letërsi për fëmije ka pasur në vitet 70 -80 me studime të thelluara, si Fatos Kongoli, Odise Grillo, Çapajev Gjokutaj etj, por pas viteve 90 kjo kritikë vjen dhe tkurret, prandaj është e rëndësishme të ketë kritikë të mirëfilltë për letërsinë për fëmijë. Profesionistë të kësaj fushe duhet te merren seriozisht me qëmtimin e prurjeve të reja cilësore. Por, nga ana tjetër, ka edhe raste kur kritikë të letërsisë për të rritur, publicistikës apo edhe shkrimtarë japin mendime kritike për letërsi për fëmijë, kur në fakt duhet të ketë specialistë për të tjerrë gjithë informacionin dhe krijimtarinë për fëmijë.
HEJZA: Kontakti i parë i fëmijëve të diasporës sonë me gjuhën letrare janë pikërisht librat apo edhe rrëfimet elektronike të shkrimtarëve tanë për fëmijë! Cila është njohja e drejtpërdrejtë të këtyre fëmijëve me krijuesit shqiptarë të letërsisë për fëmijë dhe, anasjelltas!
ANILA KRUTI: Unë mendoj se kontakti me autorët shqiptarë të letërsisë për fëmijë në përgjithësi vjen nëpërmjet mediumeve dhe faqeve online të internetit. Nga na tjetër, fëmijët në diasporë, rritur dhe implementuar nga prindërit me dashurinë për gjuhen dhe atdheun, kanë nevojë që krijimtaria letrare e autorëve cilësore të shkojë tek ta për shumë arsye.
Për t´u njohur me autorët, për të mbajtur gjallë dashurinë për vendlindjen, vlerat dhe traditën besoj që duhen bërë takime mes autorëve dhe fëmijëve në diasporë, për t´u njohur dhe vlerësuar më shumë libri dhe krijimtaria letrare për fëmijë.
HEJZA: Sa ka evoluar krijimtaria për fëmijë në kohën kur fëmijët po sfidohen me një “modernitet” i cili jo se po kuptohet aq shumë nga të rriturit?
ANILA KRUTI: Natyrisht që krijimtaria për fëmijë evoluon. Shumë krijime dhe libra të përkthyera hyjnë në libraritë tona si fizikisht edhe online. Është evident dhe i patjetërsueshëm fakti që letërsia për fëmijë ka ndryshuar në botë formën e saj. Dikur lexonim klasikët, që trajtonin problematikat e mjerimit, varfërisë, kishte përshkrime të gjata dhe të dhimbshme. Në bashkëkohësinë e sotme fëmijët duan sa më pak dhimbje, trishtim, lëngate …ata kanë nevojë për gëzim dhe optimizëm, dhe kjo i përket letërsisë së sotme bashkëkohore. Nga ana tjetër, është një sfidë më vete moderniteti, sepse letërsia për fëmijë shkon bashkë me zhvillimin dhe traditat e një vendi.
HEJZA: A e shihni si problem faktin që, fëmijët tanë sot, më shumë i njohin shkrimtarët e huaj se sa shkrimtarët shqiptarë për fëmijë! Pse po ndodhë kjo? Si të arrihet e kundërta?
ANILA KRUTI: Sigurisht, edhe ne vetë jemi rritur duke lexuar autorët e huaj për fëmijë. Nuk jam kundër për të njohur autorët e njohur të letërsisë botërore për fëmijë, por mendoj që duhet dhënë edhe hapësirë autorëve shqiptarë, sepse ne kemi letërsinë më të bukur për fëmijë. Prurjet letrare sot janë më afër fëmijëve dhe dëshirave të tyre, janë më afër botëformimit të tyre, por duhet bërë kujdes me përkthimet dhe prurjet e autorëve të huaj, pasi ka libra që nuk përshtaten me moshën, psikologjinë dhe vlerat e shoqërisë sonë. Letërsia për fëmijë është starti ku fëmijët tanë i japin hov personalitetit të tyre. Një fëmijë qe lexon gjen një dritare drejt dijes dhe botës së bukur shpirtërore.