Përmbyllet projekti financiar nga Bashkimi Europian në ndihmë të administratës. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, u shpreh se Shqipëria ndodhet në një fazë kritike në bisedimet për anëtarësim dhe një administratë e pavarur dhe transparente është kyç për suksesin e saj në negociata.
“Kjo fazë u ka dhënë 23 nëpunëse të rinj të administratës publike mundësinë për t’u formalizuar me legjislacionin e BE-së, por edhe me mënyrën si zyrtarë të administratës publike të BE-së punojnë. Siç u tha, vjen në një kohë mjaft të mirë, në kohën kur Shqipëria ka mbërritur në një fazë kritike në bisedimet për anëtarësim, një fazë ku rëndësia e administratës publike, një administratë publike e cila është kompetente, që është e pavarur, që është transparente është kyç për suksesin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit”, u shpreh ai.
Gonzato theksoi se reformimi i administratës publike është mes grupkapitujve themelorë.
“Është në kapitullin që do të çelë negociatat e do të mbyllë ato”, tha ai.
Ambasadori theksoi se administrata publike është shtylla kurrizore e një shtetit, “makineria përmes së cilës përparësitë politike të një vendi zbatohen”.
“Kapaciteti i administratës do të jetë edhe më i rëndësishëm kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE sepse duhet të përshtateni me kushtet e tregut të përbashkët dhe që të jeni në gjendje të përdoren efektivisht instrumentet që BE vendos në dispozicion të shteteve anëtare”, tha ai./tvklan.al