Përplasen me armë autorët e një grabitjeje me policinë. Një skenë e denjë për një film aksion ka përfshirë blutë e Durrësit dhe dy të rinj që hapën zjarr 25 minuta ndaj punonjësve të policisë në autostradën që e lidh këtë qytet me Tiranën.
Ardit Domi 28 vjeç dhe Lorenc Çali 27 vjeç u ndoqën nga policia pasi kishin kryer grabitjen e një karburanti në Sukth me datë 21 gusht.
Automjeti me të cilën kryen vjedhjen, ishte gjithashtu i grabitur, një ditë më parë sesa të merrnin një sasi të konsiderueshme parash te karburanti.
Kështu, pas mesnate të mëngjesit të kësaj të diele, shërbimet e Policisë konstatuan pikërisht makinën me të cilën dy të rinjtë vodhën me dhunë xhiron ditore të këtij biznesi.
Në ndjekje e sipër, në përpjekje për t’i vënë pas hekurave, policia hasi rezistencë me armë nga të rinjtë, të cilët qëlluan me breshëri kallashnikovi uniformat blu.
Si pasojë e shpejtësisë së madhe, pa shkuar në Vorë, tek rrethrrotullimi i mbikalimit në rrugën dytësore që shkon për Shijak, automjeti doli nga rruga. Dy agresorët qëlluan me armë e të gjendur përballë kësaj situate policët u kundërpërgjigjën me zjarr në kushtet e mbrojtjes së nevojshme.
Për pasojë 28 vjeçari, Arditi Domi mbeti i plagosur dhe ndodhet në spitalin e Traumës ndërsa Lorenc Çali përfundoi në qeli.
Policia sekuestroi një armë zjarri kallashnikov dhe dy krehra fishekësh.


