Megjithëse fillimi i fushatës elektorale në Greqi konsiderohet si terreni i papërshtatshëm për të nxjerrë konkluzione zgjedhore, kompanitë e sondazheve kanë bombarduar grekët me matjet e tyre të fundjavës dhe rezultatet e para nuk kanë vonuar të mbushin faqet e gazetave të shtypit vendas.
Por ashtu si sondazhet e ditës së shtunë, edhe dy të fundit të ditës së dielë për gazetat “Proto Thema” dhe “To Vima”, konkludojnë se zgjedhjet e 20 shtatorit në Greqi do të jenë një betejë e fuqishme midis Syrizës dhe Demokracisë së Re, ndërsa në të njëjtën kohë shfaqin pamundësinë e ish-partisë qeveritare të marrë shumicën në Parlament, ashtu siç synon ish-kryeministri Aleksis Tsipras.
“Vazhdojme atë që kemi filluar, kërkojmë një mandat të fuqishëm për të vazhduar dhe përfunduar atë që filluam shtatë muaj më parë”, ka thënë Tsipras.
Vërtet që Syriza përsëri kryeson, por hendeku me konservatorët, kjo edhe për arsye të përçarjes së Radikaleve të Majtë, është ngushtuar nga 1.5 deri në 3%, domethënë brenda kufijve të gabimeve statistikore.
“Nuk kemi kohë për të mbajtur zi, ne duhet të ecim përpara”, u ka thënë Tsipras anëtarëve të partisë së tij në një konferencë me të cilën ka filluar fushatën elektorale.
“Sot, me më shumë përvojë, më të pjekur, më të ditur, të armatosur me një plan 4-vjeçar, një plan që mbështetet gjerësisht në realitetin dhe nevojat e tij, ne jemi të përkushtuar të luftojnë për reformat që i nevojiten vendit”, u shpreh Tsipras.
Sondazhet e së dielës theksojnë gjithashtu se një shumicë e konsiderueshme e grekëve shfaqet e zhgënjyer nga ajo që priste prej ish-kryeministrit Tsipras, vlerëson negativisht mënyrën e negociatave me kreditorët dhe konsideron gabim thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Vetëm 40.5% e të intervistuarve preferojnë Tsiprasin në postin e kryeministrit, një shifër kjo në rënie, përkundrejt 33.1% që shprehen në favor të liderit konservator Evangelos Meimarakis.
Të gjitha sondazhet vërtetojnë se fuqia e tretë politike vazhdon të mbetet AA. Gjithashtu ato pasqyrojnë një shpërndarje të votës së grekëve si rezultat i së cilës në parlamentin e ardhshëm, për herë të parë në historinë e vendit, ndoshta mund të hyjnë deri në nëntë parti.
Ndërsa Uniteti Popullor, partia që u krijua javën e kaluar nga gjiri i Syrizës, përqendron mbi 4% të votave të të anketuarve, ish-aleatët qeveritarë, partia e krahut të djathtë Grekët e Pavarur rrezikon hyrjen në Parlament.