Kryeministri i Sudanit, Abdalla Hamdok, ka dhënë dorëheqjen pas protestave masive që tronditën kryeqytetin Khartoum.
Mijëra qytetarë marshuan kundër një marrëveshjeje të fundit që Kryeministri ka bërë për të ndarë pushtetin me ushtrinë, e cila organizoi një grusht shteti në Tetor.
Protestuesit kërkuan largimin e ushtrisë nga pushteti dhe janë shprehur kundër grushtit të shtetit. Por forcat ushtarake u përgjigjën sërish me forcë, duke lënë të vdekur dy persona.
Tashmë që Kryeministri Hamdok ka dhënë dorëheqjen, ushtria ka kontrollin e plotë të pushtetit.
Sipas BBC, kjo është një goditje tjetër ndaj përpjekjeve të brishta të Sudanit për një tranzicion drejt sundimit demokratik pas një kryengritjeje popullore që çoi në përmbysjen e presidentit autoritar afatgjatë të Sudanit Omar al-Bashir në 2019.