“Nuk më pëlqen shkurtesa IRJM, dhe shpresoj që në të ardhmen do t’ju drejtohem me Maqedoninë Veriore. Vetëm ju do të vendosni për mundësinë dhe nuk keni kohë për të humbur” – ka qenë kjo një ndër frazat e veçanta të Komisionerit Hahn, pas një takimi në Shkup me kryeminstrin Zaev.
Pjesë e mbështetjes së fuqishme ndërkombëtare për referendumin e pritshëm për marrëveshjen me Greqinë për emrin e ri, e që do të mbahet me datë 30 shtator, Hahn tha se “qytetarët do të kenë mundësinë të përcaktojnë të ardhmen e tyre, pasi vendimi do të ketë ndikim tek fëmijët e tyre, dhe brezat e ardhshëm”.
“Është e rëndësishme të sigurohet se qytetarët mund të marrin vendim duke qenë të informuar”, shtoi diplomati i lartë i Brukselit. Ndërkohë, në Shkup mbërrin një tjetër diplomat europian, Hieko Mass, ministri i Jashtëm i Merkelit.