Miliona llogari e-maile të platformës së Microsoft janë sulmuar nga hakerat. Vetë kompania ka njoftuar se janë sulmuar e-mailet Outlook, MSN dhe Hotmail. Sipas Microsoft, hakerat kanë mundur të kenë akses në llogaritë e përdoruesve privatë. Hakerat mundën të sulmonin e-mailet duke vënë fillimisht në shënjestër kredencialet e një punonjësi të Microsoft.
Microsoft u ka dërguar një email përdoruesve të këtyre adresave, ku shkruan: “Ne kemi zbuluar se kredencialet e një punonjësi të Microsoft janë kompromentuar, duke u mundësuar individëve jashtë Microsoft që të kenë akses në informacionet brenda llogarive tuaja të postës elektronike. Ky akses i paautorizuar mund t’u jepte palëve të paautorizuara të shihnin informacione në lidhje me postën tuaj elektronike, por jo përmbajtjen e emaileve”.
Sulmi kibernetik ndaj adresave të e-mailit ka ndodhur në periudhën 1 Janar 2019 – 28 Mars 2019. Microsoft u bën apel përdoruesve që të ndryshojnë fjalëkalimet e tyre.
Megjithatë, disa ekspertë thonë se hakerat kanë pasur akses për të lexuar përmbajtjen e e-maileve të përdoruesve, pavarësisht pretendimit të Microsoft që e mohon një gjë të tillë.