Hala nuk i ka ardhur koha kulturës!

Midis nesh

Në Ballkanin e Hapur për gjithçka jo njerëzore dhe jo shqiptare, në Ballkanin e Hapur ku aderimi bëhet vetëm me certifikatë antishqiptare, në shtetet e këtij farë “monstrumi politik”, gjithçka është e mundshme dhe e lejueshme nëse robton ditë e natë për pushtetet, madje mund të nxirret në treg e të blihet legalisht edhe krimi e droga, edhe zhvatja e vjedhja, edhe licenca e leja, edhe diploma e doktoratura, edhe nota dhe indeksi studentor, edhe certifikata e dekoratat shtetërore! Absolutisht gjithçka, vetëm nëse je i interesuar të paguash majmë!
Në shtetet e kësaj “kreature gjenocidale” (ka shtete që nuk e njohin gjenocidin e kryer, që e përkrahin gjenocidin aktual në luftën ruso-ukrainase) shiten certifikatat për roje dhe siguri, shiten donacionet-grantet e huaja, shiten ndihmat humanitar, shitet vendi i punës! Në këta shtete, ku mjerimi social ka prekur majat, gëlojnë lojërat e fatit! Megjithatë, ka shtete, si Shqipëria, që i ka ndaluar, sepse “ka hall” xhepin e qytetarit! Ka shtete, si Maqedonia e Veriut, ku shoqëria proteston që objektet e lojërave të fatit të mos gjenden afër shkollave, objekteve fetare, të degtisen diku në fusha, male, shkretëtira!
Sa për digresion, në Mbretërinë e Bashkuar funksionojnë dhjetëra lojëra të fatit që gjenerojnë miliarda e miliarda funta gjatë aktivitetit të tyre vjetor. Ka edhe në shtetet e Ballkanit të Hapur, të cilat veprojnë sipas ligjit që i mëson si të mblidhet paraja e të pasionuarve pas lojërave të tilla, si të jenë sa më korrekt ndaj pasionantëve, dhe si mos të ketë kurrfarë “hile”! Po ku shkojnë ato para?
Prej vitit 1994 e deri më vitin 2001 në Britaninë e Madhe, prej parave të fituara nga lojërat e fatit, mbi 2 miliardë funta janë investuar në art, sidomos në zejet/shkathtësitë dhe në film! Një e treta e kësaj shume është ndarë për objekte dhe pajisje me qëllim të rritjes së publikut të artit si dhe të zgjerimit të tregjeve për ngjarjet kulturore dhe për konsumatorët kulturorë. Po ashtu, duke u bazuar në fonde të reja të krijuara nga të hyrat prej lotarisë shtetërore apo nga lojërat e fatit, qeveria britanike është angazhuar edhe për themelimin e institucioneve te reja që do të merren me talente të reja të dhënë pas kreativiteti dhe inovacionit në kulturë dhe shkencë – Subvencionimi Nacional i Kulturës dhe Shkencës (NESTA)! Në këtë shtet, nuk ka dilema dhe debate mbi funksionimin apo jo të këtyre “institucioneve zbavitëse”, nuk ka kundërshtime kundër lojërave të fatit, por gjithnjë ka pasur debate nëse nga të hyrat prej lojërave të fatit po ndahen pak apo mjaftueshëm fonde për kulturë nacionale. Debati zhvillohet edhe rreth politikave që ia mësyjnë këtyre fondeve për t’i alokuar më shumë kah ngritja e objekteve kulturore, derisa zëri i ligjvënësve anglezë për krijimtari dhe prodhime artistike është shumë i fuqishëm. Dy decenie më parë u shpenzuan rreth 70 miliardë funta për 200 filma! Ndonëse pati kritika të ashpra se pse nuk u realizuan parashikimet përfituese nga ky investim, apo pse të paktën nuk u kthyen paratë e investuara, megjithatë, kurrë nuk pati një zë që do ta kishte kritikuar politikën financiare të këtyre fondeve për financimin e 200 filmave me atë shumë marramendëse për shtetet e Ballkanit të Hapur, liderët e të cilëve, ndonëse e kanë gojën plotë përfitime ekonomike, asnjëherë nuk e zunë ngoje formimin e një fondi të përbashkët, me shifër konkrete dedikuar krijimtarisë artistike dhe kulturës, filmit apo industrive të ndryshme të përbashkëta kulturore! Do të thonë, jemi akoma në fillim, le të presë kultura, do t’i vije koha edhe asaj!!! /HEJZA/

Leave a Reply