Harxhi në Abc News: Vaksina e turbekulozit ka rritur imunitetin e shqiptarëve ndaj Covid-19

Mjeku infeksionist Arjan Harxhi deklaroi në studion e Abcnews se vaksina e turbekulozit është një e dhënë për përhapjen e Covid-19 në botë. Ai tha se mendohet se kjo vaksinë ka rritur mbrojtjen e organizmit nga kjo sëmundje për shkak se është një vaksinë që rrit imunitetin. Lidhur me testimet masive, Harxhi tha se testi bëhet për të përcaktuar diagnozën, por kjo nuk do të thotë se të gjithë duhet të testohen. Ai u shpreh se publikimi i emrave nuk ndihmon në frenimin e përhapjes së infeksionit, për sa kohë një pjesë e mirë e tyre nuk ka shenja.

“Ka pasur shumë debate për vaksinën e turbekulozit. Është një e dhënë për përhapjen e këtij infeksioni në hartën e botës midis vendeve që e kanë përdorur si është edhe Shqipëria. Mendohet të ketë rol për mbrojten për shkak se kjo vaksinë rrit imunitetin. Kur thuhet test, nuk do të thotë që të gjithë të testohen. Ajo bëhet për të dhënë diagnozën, për të marrë vesh që ai që ka temperaturë të kuptohet nga se vuan, por edhe për të evidentuar dhe gjurmuar e më pas izoluar edhe rastet e kontaktit që mund të jetë të prekur. Kjo do jetë strategjia e të ardhmes dhe lëshimit. Nuk do të jetë rihapje si mbyllja, pra e menjëhershme. Duhet të rriten kapacitetet, për të identifikuar edhe antitrupat, ata persona që e kanë kaluar dhe janë të mbrojtur.  Publikimi i emrave nuk ndihmon shumë sepse një pjesë e mirë nuk ka shenja. E rëndësishme është të identifikohen sa më shumë kontakte”, tha Harxhi.

Harxhi u shpreh se edhe në se do të ketë një valë të dytë infeksionesh, ajo do të jetë më e përballueshme, për shkak se tashmë sistemet shëndetësore janë të përgatitura, megjithatë theksoi se shpëtimi i vetëm është vaksina. Deri në shpikjen e vaksinës, theksoi Harxhi, e vetmja zgjidhje është distancimi fizik dhe kufizimi i lëvizjeve.

“Duhet që në një popullatë të caktuar duhet ta kenë kaluar rreth 70% që të mos përhapet më në masë. Por asnjë qeveri nuk e lë dot të lirë sepse rrugës për ta arritur këtë përqindje bën dëme shumë të mëdha. Duke pasur parasysh këtë, dëmet do ishin të pallogaritshme jo vetëm në jetë njerëzore edhe në sistemin shëndetësor. Ky është infeksion që momentalisht mund ta luftojmë vetëm me distancimin fizik.

Ajo që e përmendët në termin karantinë, janë masa që janë në gjendje të bllokojnë transmetimin. Kjo mund të mos vazhdojë pafundësisht. Modeli i Kinës tregoi që për 12 javë sëmundja mund të kufizohet. Hapjet graduale vijnë duke parë ritmin. Ne nuk e dimë sa preken dhe nuk kanë shenja. Mund të jenë një përqindje e caktuar që e kanë kaluar infeksionin dhe mund të jenë imun në të ardhmen. Skenarët do mësohen rrugës. Nuk duhet të ketë më përsëritje. Unë mendoj që nuk do ketë më valë të tilla sepse sistemet do te jenë më të përgatitura. Fakti është që me një llogari të thjeshtë, ja vlen duke pasur parasysh skenarin italian ku nuk dinin ku t’i varrosnin apo doktori bëhet zot për të vendosur kur do jetojë. Unë mendoj që mjafton të shohim Italinë për të kuptuar që edhe ne mund të kishim kaluar atë situatë. E ardhmja shpresojmë të kemi vaksinën, por strategjinë do mësohen rrugës. Jeta nuk do jetë më si më parë. Vaksina do jetë një element i rëndësishëm. Është një nga armët kryesore që teknologjia dhe njerëzimi ka arritur”, deklaroi Harxhi./ abcnews.al

Leave a Reply