Hashim Thaçi flet në Hagë: Padrejtësia nuk ndreqet me një tjetër padrejtësi

Këtë të martë ishte radha e mbrojtjes për të dhënë argumentet e saj kundër akuzave të ngritura nga Prokuroria Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në ditën e dytë të gjyqit ish-kreu politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, duke iu drejtuar Gjykatës Speciale tha se ky do të jetë rrugëtimi drejt të vërtetës dhe drejtësisë.

“E drejta dhe vërteta janë parime të çmuara për mua. Ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte, pavarësisht nga përkatësia. Viktima s’marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Jam i pafajshëm nga të gjitha këto akuza. Jam gati që të përballem me këtë sfidë të re dhe të kem sukses për familjen, popullin dhe vendin tim”.

Ai theksoi se si themelimi i kësaj gjykate erdhi pas akuzave të Dick Marty-t për trafikim organesh.

“Kur raporti i Dick Marty mbushi titujt e mediave me akuza të sajuara për trafik organesh nga unë dhe ushtria, unë kërkova që të hetohej nga gjykata ndërkombëtare në mënyrë të pavarur. Një Gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafik organesh dhe se “Shtëpia e Verdhë” nuk ka ekzistuar kurrë. Gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr“.

Nuk mungoi as keqardhja për shumë personalitete që nuk mund të dëshmojnë në këtë proces gjyqësor. Mbrojtja e ish presidentit Hashim Thaçi mohoi të gjitha pretendimet e Prokurorisë Speciale të prezantuara një ditë më parë, teksa avokati mbrojtës deklaroi se Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime.

“Janë kryer krime, por jo të motivuara. Thaçi se mohon se disa krime janë kryer nga disa individë shqiptarë. E ka informuar edhe Këshillin e Sigurimit. Por e kundërshton pretendimin se janë kryer nga udhëheqja e UÇK-së”.

Ai shtoi se klienti i tij nuk kishte mundësi të parandalonte krimet që ndodhnin nëpër zonat e luftës pasi sipas tij pushteti real u takonte komandantëve të zonave. Ndërsa pas luftës ka përmendur faktin që të gjitha kompetencat i kishte UNMIK-u.

Të hënën u dëgjuan zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtësi i viktimave. Sipas Gjykatës Speciale 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Leave a Reply