Hazbi Lika ose ndryshe i njohur si Komandant “Çela” është “përshendetur” me BDI-në. Ai këtë vendim të tij ia ka përcjellur drejtpërdrejtë kreut të integristëve Ali Ahmeti, raporton Fakte.
Tërheqjen e tij nga BDI Lika e ka arsyetuar me arsye “personale”, por në opinion flitet një periudhë të gjatë për kundërshtim të plotë të qëndrimeve të tij me politikat që viteve të fundit po i zbaton tanimë ish partia e tij Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe posaçërisht pas rastit të Kumanovës. Për arsye të tilla parimore në periudhën e kaluar u tërhoqën edhe bashkëveprimtarë të tjerë të Ali Ahmetit, me të cilët ky i fundit ishte përkrah edhe para dhe gjatë luftës së vitit 2001 por edhe në formimin e partisë BDI.
Siç edhe ka mund të vërejë opinioni nga pamjet që ka prezantuar Partia e Ahmetit, në të gjitha aktivitetet partiake në të gjitha nivelet, qëndrore dhe lokale, tanimë mungon prezenca e Hazbi Likës. Deri më tani, vetë Lika nuk është prononcuar publikisht për arsyet e tërheqjes së tij nga BDI, apo edhe nga jeta politike, qofshin ato “personale” apo ” parimore”.//INA