ISSH po verifikon shkaqet për 25 raste
Në Maqedoninë e Veriut shumë të rinj janë duke e humbur betejën me koronavirusin. Ministria e Shëndetësisë, në raportet e publikuara, ka sqaruar se pjesa më e madhe e viktimave, duke llogaritur këtu edhe ata nën moshën 40-vjeçare, kanë pasur sëmundje shoqëruese.
Mirëpo, Inspektoriati Shtetëror Sanitar, me kërkesë të familjeve të viktimave, tashmë është duke bërë 25 hetime të jashtëzakonshme lidhur me rrethanat e vdekjeve të pacientëve në moshë të re.
Në opinion dje janë shfaqur shqetësime pas vdekjes së një 22-vjeçare shtatzënë, e cila, sipas autoriteteve, kishte pasur sëmundje shoqëruese, por edhe kishte refuzuar shtrimin në spital.
Me këtë, numri i grave shtatzënë që humbin betejën me koronavirusin në Maqedoninë e Veriut shkon në gjashtë.
“Nuk ishte pajtuar të jetë e shtruar në pjesën e covid-pacientëve. Të gjithë pacientët që janë me simptoma i trajtojmë si të dyshuar me Covid, por jo me ato që janë pozitiv. Përkundër kësaj, ajo refuzoi të shtrohet në spital dhe kur erdhi në mëngjes ishte me fryt të vdekur dhe në gjendje të rëndë” ,thotë drejtoresha e klinikës së Gjinekologjisë, Viktorija Jovanovska.
Organet inspektuese janë duke hetuar edhe vdekjen e një 28-vjeçari, i cili më 8 Dhjetor kishte vdekur si pasojë e komplikimeve me Covid-19.
Siç u tha, do të hetohet rrugëtimi i trajtimit mjekësor nga mjeku amë deri në Repartin Infektiv në Shkup.
Në Maqedoninë e Veriut numri i viktimave ka shkuar në 2051, kurse për momentin njoftohet se nëpër covid-qendrat e vendit janë të shtruar 1340 pacientë.