Pas një pauze tre mujore për shkak të pandemisë, Prokuroria e Durrësit ka rinisur hetimet në mënyrë intensive për dëmet e shkaktuara nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.
Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije për Vizion Plus se hetimet janë shtrirë në dy drejtime: çështja e parë lidhet me 23 personat që humbën jetën tragjikisht nga shembja e 7 objekteve; ndërsa e dyta është ajo e rrezikshmërisë së objekteve të dëmtuara si dhe ankesave të bëra prej banorëve në lidhje me akt-ekspertimet e bëra nga inxinierët pas tërmetit.
Grupi hetimor që po drejton hetimet përbëhet nga 5 prokurorë. Gjatë kësaj periudhe, grupi i hetuesve ka mbledhur dokumentacionin e nevojshëm nga institucione të ndryshme shtetërore si dhe nga firmat projektuese të ndërtimit. Ato po verifikohet lidhur me parametrat e ndërtimit të pallateve të dëmtuara apo dhe atyre të shembur.
Po ashtu organi akuzës ka përfunduar të gjitha eksperimentet sizmologjike në terren të ndërtesave të shembura si dhe ka në dosje raportin gjeologjik për qendrueshmërinë e tokës. Të gjitha këto prova të grumbullura nga prokurorët pritet që t’i bashkëngjiten dosjes së hetimit e cila shumë shpejt do të dorëzohet në gjykatë.
Ndërkohë drejt mbylljes së hetimeve është dhe prokuroria e krujës. Burime bëjnë me dije se prokurorët do të dorëzojnë në gjykatë brenda 10 ditësh dosjen hetimore në lidhje me dy pallatet në borizanë, si dhe për tre shkollat e dëmtuara në këtë zonë.
Deri më tani janë lëshuar 18 urdhra arresti nga organi akuzës, nga të cilët, 11 persona janë arrestuar ndërsa 7 të tjerë janë shpallur në kërkim.