Hezbollahu, grupi militant i Libanit, ka thënë të dielën se ka shënjestruar me dron të armatosur një pozicion ushtarak në veri të Izraelit, si përgjigje për vrasjen e një komandanti.
Njoftimi i Hezbollahut ka ardhur disa orë pasi është publikuar një video në të cilën tregohen lokacionet e shënjestruara në Izrael, teksa rriten shqetësimet për një konflikt të madh në mes të dy armiqve.
Të shtunën, grupi Jamaa Islamiya ka bërë të ditur vdekjen e njërit prej komandantëve, Ayman Ghotmeh, duke thënë se ai është vrarë “në bastistjet e zionistëve” në Kaira, në zonën lindore Beka të Libanit.
Izraeli e ka konfirmuar më vonë kryerjen e sulmit, duke thënë se Ghotmeh ka qenë përgjegjës për furnizim me armë të forcave Fajr, krahut të armatosur të grupit Jamaa Islamiya, por edhe të militantëve të Hamasit.
Tensionet kufitare janë rritur edhe më shumë në ditët e fundit, pasi ushtria izraelite ka thënë të martën se plani për një ofensivë në Liban është “miratuar dhe legjitimuar”. Shefi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, është përgjigjur me kërcënimet që asnjë pjesë e Izraelit nuk do të mbetet pa u prekur, në rast të një lufte të plotë.