Grupi libanez Hezbollah njoftoi sot se ka kryer sulme me dronë dhe raketa thellë në Izrael në përgjigje të vrasjes së njërit prej liderëve të tij, Fuad Shukr, transmeton Anadolu.
Njoftimi erdhi menjëherë pasi ushtria izraelite nisi një sulm “parandalues”, duke kryer dhjetëra sulme ajrore në Libanin jugor në përgjigje të përgatitjeve të dyshuara të Hezbollahut për të lëshuar raketa në Izrael.
Deklarata fillestare e Hezbollahut thoshte: “Ne kemi nisur një sulm ajror në shkallë të gjerë me dronë të shumtë drejt një objektivi të rëndësishëm ushtarak thellë brenda Izraelit, i cili do të zbulohet më vonë”.
Grupi gjithashtu pretendoi se sulmi me dronë përkoi me sulme në disa lokacione ushtarake izraelite, kazerma dhe sisteme të mbrojtjes raketore “Iron Dome” në Palestinën veriore të pushtuar me një numër të madh raketash.
Hezbollahu e përshkroi sulmin si “përgjigje fillestare ndaj vrasjes së Shukrit” më 30 korrik.
Deklarata shtoi: “Rezistenca në Liban tani është në gjendjen e saj më të lartë të gatishmërisë dhe do t’i përgjigjet me forcë çdo agresioni izraelit, veçanërisht nëse dëmtohen civilët, me pasoja të rënda dhe të ashpra”.
Ky përshkallëzim pasoi njoftimin e Izraelit për një sulm parandalues ndaj Libanit pas zbulimit të përgatitjeve të dyshura të Hezbollahut për të lëshuar raketa drejt qyteteve izraelite.
Ushtria izraelite deklaroi: “Kemi zbuluar kohët e fundit përgatitjet e Hezbollahut për të lëshuar raketa dhe predha drejt Izraelit. Si rezultat, ne po sulmojmë për të eliminuar kërcënimin”.
Autoritetet izraelite ndaluan sot të gjitha fluturimet për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar Ben Gurion pranë Tel Avivit.
Sipas korrespondentit të Anadolus, avionët luftarakë izraelitë nisën njëkohësisht më shumë se 40 sulme ajrore në 17 zona dhe qytete në Libanin jugor.
Ambulanca u panë duke nxituar në disa nga vendet e synuara.
Dëshmitarët raportuan gjithashtu lëshimin e dhjetëra raketave dhe dronëve sulmues nga territori libanez drejt Izraelit.
Mediat izraelite, përfshirë Channel 12, raportuan se sirenat e sulmeve ajror po bien në disa qytete në veri të Izraelit.