Në fokus
Kohë më parë, në festivalin ndërkombëtar letrar “Tirana Gate 2022” të organizuar nga Instituti i Librit, paskan marrë pjesë edhe shkrimtarë nga Serbia, Maqedonia etj! Edhe një përpjekje “shqiptarçe” për përafrimin me shkrimtarë ballkanas, sado që paskan qenë të armiqësuar me shqiptarët! Një shkrimtar serb paska thënë: “Në rajonin tonë, është bërë i famshëm, i ashtu quajturi “Open Ballkan”, por unë mendoj se lidhja më e bukur dhe e duhura është ajo përmes kulturë, sesa ajo politike dhe ekonomike. Unë jam shkrimtarë dhe nëse nuk komunikoj dhe nuk njoh shkrimtarët e tjerë të vendeve përreth, nuk është mirë”.
Shqiptarët angazhohen që të gjejnë modalitete politike e kulturore për t’i bindur fqinjët sllavë se sa jemi të mirë, të dashur e pozitivë! Serbët duhet të përballen me “vlerat” e Ballkanit të Hapur që të binden se “lidhja” përmes kulturës qenka ajo më e bukura dhe më e duhura! Thjesht, serbët, maqedonasit e malazezët sa herë që prezantojnë në Shqipëri, binden në një “mëkat” siç qenka mosnjohja e shkrimtarëve shqiptarë, të cilët gjithsesi që duhet të përkthehen në serbisht e në maqedonisht!
Pa dyshim, kjo “dashuri” serbe është gëzof i politikave shoviniste të tyre! Është platformë nacionaliste e hershme për ta mohuar kulturën dhe letërsinë e shqiptarëve që kultivohet në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, rreth Serbisë dhe brenda saj!
Janë shumë të qëlluara eventet e tilla për ta zgjatur debatin kulturor sa herë që serbët, maqedonasit e malazezët “mahniten” me kualitetet kulturo-letrare të shqiptarëve të Shqipërisë! Për çfarë vlere “kombëtare” mund të flitet për kulturë-bërësit shqiptarë, të cilët, çuditërisht, sa herë që lavdërohen nga serbët apo maqedonasit fqinjë, përjetojnë një “sulm cerebral! Thjesht, nuk dinë të reagojnë; thjesht, nuk dëshirojnë që “fqinjin” ta vënë në tapet duke e pyetur: po mirë, t’i që “mrekullohesh” me vlerat shqiptare, sa e njeh artin dhe krijimet letrare të shqiptarëve të Kosovës, apo të shqiptarëve që jetojnë në viset e tyre etnike në Mal të Zi, Serbi e në Maqedoninë e Veriut? Heshtja shqiptare para konstatimeve të tilla “estetike” sllave në fakt do të thotë solidarizim në mënyrë naive me politikat mohuese të sllavëve që i kultivojnë në raport me kulturën etnike shqiptare! Nuk mundet asnjë serb që të shpreh mahnitje me shkrimtarët e Shqipërisë, ndërsa mos të shpreh keqardhje për “baballarët” e tyre që vranë shkrimtarët e shquar shqiptarë, Latif Berishën e Ymer Elshanin.
Do me thënë, mund të jenë shkrimtarë të mirë të gjithë ata që i japin përkrahje “Ballkanit të Hapur”, ndërsa të gjithë ata shkrimtarë shqiptarë që e kundërshtojnë këtë “ide serbe” si dhe të gjithë ata që e kanë luftuar okupimin shekullor serb, nuk duhet të njihen dhe duhet të trajtohen si “tumori i kulturës shqiptare”!
Në këtë event, një tjetër poet serb paska thënë: ”Jam me fat që në dy muaj, jam prezent në dy aktivitete për librin në Shqipëri. Sigurisht që kultura është rruga më e mirë që të kuptojmë tjetrin. Mendoj se keqkuptimet mes nesh ndodhin nga mos njohja e duhur. Të njohësh tjetrin, do të thotë të fillosh ta respektosh”! Pra, serbët dhe maqedonasit, të paktën në të tilla evente kombëtare, duhet të motivohen dhe të nxiten që t’i njohin shkrimtarët shqiptarë të Kosovës e të Maqedonisë së Veriut, Të Luginës dhe të Malit të Zi, gjithnjë duke qenë të bindur se do të fillojë një simpati dhe respekt i fqinjëve, fillimisht ndaj shkrimtarëve shqiptarë të këtyre viseve etnike e pastaj edhe të Shqipërisë! Është i pakuptimtë insistimi i shkrimtarëve serb për t’u njohur me letërsinë dhe kulturën shqiptare të Shqipërisë dhe me insistimin e tyre edhe më të fortë për solidarizim në urrejtjen dhe mohimin e kulturës dhe letërsisë shqiptare që kultivohet nëpër viset etnike shqiptare jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë! Ky obligim kombëtar është mbi nevojën e shqiptarëve për t’u përkthyer e njohur, bie fjala, nga serbët! /HEJZA/