Propozohen lehtësi dhe ndryshime në ligjin “për të huajt”
Shqipëria do u japë të drejtë shtetasve të vendeve të Bashkimit Evropian që të qëndrojnë në territorin shqiptar pa leje qëndrimi apo leje unike, për më shumë se tre muaj.
Kjo është një nga risitë e propozuara në ligjin për të huajt nga Ministria e Brendshme, i hedhur së fundmi për konsultim publik.
“Propozimi për përjashtimin e tyre nga ky detyrim është në linjë edhe me rekomandimet e lëna në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023”.
Një shtetas i BE-së mund të banojë në Shqipëri pa leje qëndrimi apo leje unike nëse plotëson një nga këto kritere, si të jetë i punësuar ose i vetëpunësuar; të ketë burime të mjaftueshme financiare për veten dhe anëtarët e familjes që të mos bëhen barrë për sistemin e ndihmës sociale si dhe të kenë policë të sigurimit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë.
Po ashtu përftitojnë nga kjo lehtësi edhe ata që do ndjekin në Shqipëri një kurs studimi.
Pa leje qëndrimi mund të banojnë në Shqipëri për më shumë se tre muaj edhe anëtarët e familjarit që po qëndron në vendin tonë duke plotësuar një nga kushtet e mësipërme.
“Shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian, për periudha qëndrimi më të gjata se tre muaj, kanë detyrimin të regjistrohen pranë zyrës së gjendjes civile, në territorin e së cilës kanë vendqëndrimin, jo më vonë se tre muaj nga data e mbërritjes. Zyra e gjendjes civile i pajis ata me një certifikatë regjistrimi”.
Shtetasit e Bashkimit Evropian që kanë banuar ligjërisht për një periudhë të vazhdueshme prej pesë vjetësh në Republikën e Shqipërisë kanë të drejtën e qëndrimit të përhershëm.
Sipas censit të vitit 2023, në Shqipëri jetojnë rreth 15 mijë banorë me shtetësi të huaj.