Shqipëria ka bërë përparim serioz me Reformën në Drejtësi. Është ky vlerësimi që jepet në raportin e hartuar nga raportuesi për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin e Holandës, Anne Mulder, i cili vizitoi vendin tonë më 6 dhe 7 Maj, si pjesë e delegacionit prej 3 përfaqësuesish të Komitetit të Përhershëm Parlamentar Holandez për Çështjet Evropiane. Raporti vlerëson progresin e Shqipërisë në 5 reformat kyçe, të vendosura si parakushte për hapjen e negociatave.
“Raportuesi vëren se Shqipëria po bën përparim serioz në reformat gjyqësore. Procesi i verifikimit që po kryhet nga një komision i pavarur kualifikimi që rivlerëson gjyqtarët dhe prokurorët publik sipas kompetencës profesionale, paanësisë dhe kritereve të integritetit është në rrugën e duhur dhe ka dhënë më shumë se 140 vendime. Në rreth 40% të rasteve, zyrtarët janë shkarkuar. Ka pasur gjithashtu një shkallë të vetë-spastrimit: disa gjyqtarë dhe prokurorë kanë parashikuar gjykimin e komisionit dhe kanë dhënë dorëheqjen”.
Vlerësime edhe për përpjekjet e qeverisë në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar. Ndërsa në betejën kundër korrupsionit, kritika shprehen për nivelin tepër të ulët të dënimeve.
“Në luftën kundër të korrupsionit, janë marrë masa. Por numri i ndjekjeve dhe dënimeve penale të nivelit të lartë ka qenë zhgënjyes. Bashkëpunimi mes policisë dhe Prokurorisë publike nuk është gjithmonë i qetë. Shqipëria duhet të vazhdojë më tej në ecurinë e saj në luftën kundër korrupsionit. Në luftën kundër të krimit të organizuar, vlen të përmendet se Shqipëria ka arritur rezultate në zbulimin dhe çmontimin e kanabisit dhe ndjekjen penale. Kjo ka çuar në uljen e drogës: statistikat e qeverisë tregojnë se numri i rasteve të drogave që janë kapur në Itali nga ose nëpërmjet Shqipërisë ka rënë me rreth 80% në vitin 2018. Shqipëria ka ulur gjithashtu pastrimin e parave kriminale”.
Për Reformën Zgjedhore, problem shihet bojkoti i opozitës.
“Janë bërë lëvizje për të filluar Reformën Zgjedhore për të forcuar demokracinë dhe kjo është një shenjë e mirë. Megjithatë, raportuesi ka shqetësime në lidhje me marrëdhëniet midis qeverisë dhe partive opozitare. Përfaqësuesit e zgjedhur të popullit nga dy partitë më të mëdha të opozitës kanë bojkotuar aktivitetet parlamentare dhe madje kanë dalë nga Parlamenti në protestë kundër qeverisë, e cila sipas mendimit të tyre e ka komprometuar rezultatin e zgjedhjeve dhe ka shkelur të drejtat e tyre parlamentare. mungesa e bashkëpunimit pengon funksionimin e demokracisë”.
Raportuesi shpreson se do të ketë pajtim të shpejtë midis opozitës dhe partive qeveritare, ndërsa ato lëvizin përpara në zhvillimin e një vizioni të përbashkët për qeverisjen dhe demokracinë. / Tv Klan