Kryeministri Edi Rama ka bërë vlerësimet maksimale në homazhet në nder të efektivit të vrarë një ditë më parë në Lazarat.
“Ibrahimi sot do të varroset si dëshmor në kohë paqeje. Jemi sot këtu që ta nderojmë atë, edhe pse nderimi ynë nuk mund t’i kthejë atij të ardhmen që ia morën. Jeta e tij ndaloi për shkak të detyrës, ndaj ne jemi këtu për ata që sakrifikojnë jetën e tyre për një vend më të sigurt”, ka thënë Rama.
Ai është shprehur se, të gjithë njerëzit e mbledhur sot në këto homazhe ndodhen përpara një heroi, “provë e gjallë e një vlere të paçmuar, që duhet të na kujtojë se paqja nuk është dhuratë e zotit, por përkushtim dhe sakrificë i njerëzve që nuk i njohim”.
“Ndaj përulem me ndjenjën më të thellë të respektit përpara prindërve dhe familjes së Ibrahim Bashës”, ka thënë Rama.
Tahiri: Sfidat na bëjnë më të fortë
Goditja e ligjit për këdo që ka guxuar apo guxoi të vërë dorë mbi shtetin dhe Policinë e Shtetit. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në homazhet e zhvilluara për efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha.
“Sfidat na bëjnë më të fortë, vështirësitë na e bëjnë rrugën më të qartë”, tha Tahiri.
“Thonë se heronjtë njihen kur flenë nën dhe, po ti ishe hero dhe për së gjalli me shokët e tu, të vendit tënd dhe të huaj. E gjithë Shqipëria u shtang se dora e krimit dhe terrorit të mori jetën, këtu në vendin tënd, ku luftë nuk ka, po ku për më shumë se dy dekada ka pabesi të pashoqë që kanë mbjellë plagë të neveritshme në trupin e vendit tonë, siç është dhe fshati ku ca kriminelë të morën jetën ty. Luftove për të bërë të lirë e të sigurtë vende të tjera e popuj të tjerë, po jetën tënde e dhe për popullin tënd, këtu në vendin tonë”, vijoi ministri.
Tahiri u shpreh më tej: “Dora e pabesë që u ngrit mbi ty ka mbi dy dekada që rritet për t’i bërë karshillëk Shqipërisë, për të sfiduar shtetin, ligjin, drejtësinë. Ajo dorë mori jetën tënde, në atë fshat plot me njerëz të ndershëm, po ku kanë mbetur ende disa kriminale të përdorur. Në atë fshat që vjet e çliruam nga droga e krimi po që nuk kemi mbaruar ende. Ti dhe shokët e tu dini diçka që nuk e thoni kurrë, dini diçka që publiku nuk e di shpesh, krimit i mjafton të ketë sukses një herë në 100 apo 1000 raste, ndërsa policisë i duhet të ketë sukses çdo herë. E djeshmja ishte dita jote e pafat, Ibrahim. Na kanë vrarë të gjithëve nga pak, ajo dorë ka goditur shtetin”, tha Tahiri.
Lu: Në emër të SHBA, mirënjohje Ibrahim Bashës
Ambasadori i SHBA, Donald Lu, duke folur në homazhet në nder të efektivit Ibrahim Basha, ka vlerësuar maksimalisht kontributin e tij në misionet paqeruajtëse.
“Ne nderojmë kontributin e nëntetar Ibrahim Bashës në Irak e Afganistan. Ai ka marrë medalje për shërbimin e ofruar në këto misione të rrezikshme”, ka thënë Lu.
Në emër të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, ai i ka shprehur ngushëllimet familjes së tij dhe shqiptarëve.
Meta: Shteti të reagojë me forcën e drejtësisë
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, në fjalën e tij është shprehur se, Ibrahim Basha e kreu me nder detyrën e tij, ndaj meriton nderim dhe mirënjohje të përhershme.
“Ti dhe kolegët e tu na keni bërë krenarë me kontributin tuaj. Fatkeqësisht, terrorizmi goditi në mënyrë të pabesë. Eshtë detyra jonë, e shtetit dhe shoqerisë, të vendosim drejtësi”, ka thënë Meta.
Ai ka shtuar se, “kjo sakrificë sublime duhet të shërbejë për të krijuar një shoqëri të drejtë dhe një drejtësi të fortë”.
Pak momente pas homazheve, efektivi është përcjellë nga familjarët, të afërmit dhe kolegë të panumërt të tij për në banesën e fundit. Tashmë ai prehet tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.