Në Hungari shumë pak media të pavarura arrijnë t’i rezistojnë presionit të fortë politik. Shumica e mediave jetojnë sot me nesër, shkruan Stephan Ozsváth nga Budapesti.
Portali i pavarur i lajmeve, 24.hu tregon ende një video të bërë me celular nga dhoma e lajmeve të konkurrentit Index.hu. Aty shihet kryeredaktori Szabolcs Dull, që thotë se ai u pushua nga puna dhe heshtjen e tij donin ta blinin. Dull nuk pranoi, që redaksia e portalit me një publik të gjerë Index.hu të ristrukturohej, sepse ai i trembej influencës politike. Në mars një oligark i afërt me qeverinë e kishte marrë shumicën e aksioneve të firmës, që furnizon me të ardhura portalin. Me Dull u largua e gjithë redaksia e Indexit, një faqe Facebook-u premton një lloj Index 2.0. Por në skenën e pavarur mediatike ka dyshime se 100 redaktorë mund të gjejnë vend pune në një redaksi të re.
Kufomat e mediave shtrojnë rrugën e Viktor Orbanit
“Përvoja më bën pesimist”, thotë Gergely Márton nga revista javore, HGV, që e ka përjetuar shuarjen e punëdhënësit të mëparshëm. Në vitin 2016 gazeta më e madhe ditore, Népszabadság u ble nga një mik i Orbanit, sot ajo është mbyllur, bashkë me të në paketë një sërë gazetash rajonale ranë nën kontrollin e qeverisë. Márton beson se Index si „mbulesë” me disa „grevëthyes” do të mbijetojë. « Ata do të ofrojnë gjoja lajme, por ato do të jenë të helmuara”, thotë redaktori.
Edhe Csaba Lukács e ka këtë përvojë. Në vitin 2017 gazeta konsertore Magyar Nemzet u kthye në zëdhënëse të propagandës së qeverisë. Ai dhe kolegët e tij guxuan një fillim të ri dhe krijuan Magyar Hang, që sot shet 20.000 kopje. «Ne jetojmë nga lexuesit », thotë drejtuesi që merret me reportazhe nga provinca dhe boton në Bratislavë. Sipas tij mediat private dhe ekipet e vogla investigative humbasin me portalin Index.hu edhe një përforcues të ndikimit të tyre.
Qeveria ka thënë, se nuk ka të bëjë me mbylljen apo marrjen e mediave nën kontroll dhe kujton se kjo rregullohet në treg. Përfaqësues të qeverisë theksojnë rregullisht, se ka një mbipeshë madje të zërave opozitarë në tregun mediatik hungarez, që duhet balancuar.
Treg mediatik i deformuar
Por sot në Hungari ka pak media të pavarura me një rreze veprimi të vogël. Tregun e sundojnë mediat shtetërore që shkruajnë në një linjë, gati 500 janë mbledhur që nga viti 2018 në një fondacion me emrin KESMA. Aty qeveria e Orbanit derdh miliona euro, megjithëse përdoruesit e mediave po ikin prej tyre, thotë gazetari, Miklós Hargitai, drejtues i shoqatës së gazetarëve MUÒSZ. “Aty, ku nuk e përcaktojnë lexuesit apo dëgjuesit lumin e parave, por logjika politike”. Prandaj „nuk mund të flasim për treg”, thotë ai. Dhe për media ndërkombëtare si Bertelsmann, Ringier, apo Sanoma që nga viti 2010 ka vetëm një drejtim: Jashtë nga Hungaria.
Kush i bie pas Orbanit shpërblehet me reklama shtetërore, që përbëjnë një pjesë të madhe të të ardhurve. Edhe mediat ndërkombëtare zgjodhën mosinvestimin në media të pavarura, kritikon Csaba Lukács, sepse ato kanë frikë, se ndëshkohen nga qeveria” Zsolt Kerner, redaktor i mediumit online 24.hu bën fjalë për një „vetëcenzurë të reklamëmarrësve”, Në Bruksel komisionerja për konkurrencën Vera Jourova u shpreh “e shqetësuar” për procedimin tek Index.hu. Por drejtues i shoqatës, MUÒSZ, Hargitai i quan këto predikime. “Mungon vullneti politik”, thotë ai.
E përditshmja e vështirë
Për shkak se mediat e pavarura sidomos në kohë pandemie duhet të luftojnë me mbijetesën, rrogat janë të ulta. Magyar Hang u paguan gazetarëve të saj afër 700 euro neto. Csaba Lukács e krahason këtë me „gazetari të klasit të fundit” me fluturimet e lira dhe mbushjen e rafteve të supermarketeve. Këtë ti e bën ose nga dashura ose nga ndonjë zë i brendshëm”, shpjegon Miklós Hargitai, redaktor i gazetës me orientim të majtë, Népszava. Pak para për kushte të vështira pune, sepse pyetjet ose marrin përgjigje me vonesë ose nuk përgjigjen aspak, ankohen gazetarët.
“Kemi vështirësi të marrim intervista, përgjigje për kërkesat tona”, thotë Gergely Márton. Kush është shumë kritik nuk futet në rrjetin e shpërndarjes së shtypit, nuk ftohet në konferenca shtypi, rrëfejnë të gjithë. Edhe informantët janë bërë shumë të kujdesshëm, partnerët për bisedime mezi hapin gojën. Ka edhe pasiguri. Numri i celularit të kryeredaktorit të shkarkuar Szabolcs Dull qarkulloi në internet. “Qëllimi është që askush të mos ndjehet i sigurtë”, thotë Zsolt Kerner. Klima politike në Hungari është e përcaktuar nga lufta dhe të qenurit kundërshtar, thotë redaktori Gergely Márton. Për qeverinë është e papërfytyrueshme që “në gazeta të punojnë gazetarë”, thotë Zsolt Kerner, ajo sheh pas çdo artikulli një vullnet politik. “Prandaj e sheh si legjitime të sulmojë mediat si kundërshtarët politikë.” Kjo e dëmton lirinë e shtypit. Pasoja: Në renditjen e ”Reporterëve pa kufi”, Hungaria në dhjetë vjet ka rënë nga vendi i 23 në të 89-n nga 180 vende në listë./DW/