Autoritetet amerikane të emigracionit kanë kryer një bastisje në një impiant gjigant të Hyundai në shtetin e Georgia, ku janë arrestuar mbi 450 persona, sipas agjencive të përfshira në operacion.
Impianti, i ndërtuar nga prodhuesi korean i automjeteve për prodhimin e makinave elektrike, shtrihet në rreth 3 mijë hektarë dhe ishte funksional prej një viti. Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha për CBS News se aksioni u krye për shkak të dyshimeve për “praktika të paligjshme punësimi dhe krime të tjera serioze federale”.
Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut konfirmoi se në mesin e të ndaluarve ka shtetas koreanë, duke e quajtur këtë “shkelje të padrejtë të të drejtave të tyre”. Ajo tha gjithashtu se po dërgon diplomatë në vendngjarje dhe i ka shprehur shqetësimet e saj ambasadës amerikane në Seul.
Hyundai Motor Company reagoi duke thënë se asnjë prej të ndaluarve nuk është punonjës i drejtpërdrejtë i kompanisë, ndërsa theksoi se “siguria dhe mirëqenia e të gjithë atyre që punojnë në këtë projekt është prioritet”.
Në një postim në X, Zyra e ATF-së në Atlanta tha se operacioni u zhvillua në bashkëpunim me ICE-në dhe agjenci të tjera federale, duke rezultuar në ndalimin e 450 “emigrantëve të paligjshëm” në fabrikën në Bryan County. Raportime të ndryshme sugjerojnë se numri i koreanëve të ndaluar mund të jetë në qindra.
Guvernatori republikan i Georgia, Brian Kemp, e kishte prezantuar projektin e Hyundai si investimin më të madh ekonomik në historinë e shtetit, ku janë punësuar mbi 1 mijë e 200 persona. Operacioni federal ka pezulluar gjithashtu punimet edhe në një fabrikë baterish ngjitur me impiantin, raportoi CBS News.
Kujtojmë se presidenti Donald Trump ka bërë pjesë të fushatës së tij zgjedhore zotimin për dëbime masive të emigrantëve pa dokumente, me prioritet ata që kanë kryer krime.


