I vuri zjarrin fshatit pas konflikteve me banorët, kapet dhe procedohet 72 vjeçari në Kurbin

Një 72-vjeçar është proceduar penalisht nga Policia e Kurbinit, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në një zonë të mbrojtur në Shkopet, duke rrezikuar seriozisht banesat dhe pasuritë natyrore në territorin e Matit dhe Mirditës.

Sipas hetimeve të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës, shtetasi Gj. Gj., banues në Shkopet, dyshohet se më 19 korrik 2025, për shkak të konflikteve të mëparshme me familjarë dhe banorë të zonës, ka ndezur zjarr në dalje të tunelit të Shkopetit. Zjarri, i cili ende është aktiv, është përhapur me shpejtësi në zonat përreth, duke krijuar rrezik të madh për komunitetin dhe mjedisin.

Po ashtu, i njëjti shtetas dyshohet edhe për një tjetër zjarrvënie të qëllimshme, më 25 korrik 2025, në të njëjtën zonë.

Policia ka bërë të ditur se materialet procedurale në ngarkim të 72-vjeçarit i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të raportojnë menjëherë çdo rast zjarrvënieje apo veprimtarie të paligjshme që cënon pasuritë natyrore dhe rrezikon jetën e banorëve, duke kontribuar në mbrojtjen e mjedisit dhe sigurisë publike.

Leave a Reply