Rusia nuk e ka fshehur ndonjëherë se ushqen një interes të veçantë për Ballkanin. Përveç një vazhdimësie të politikave të Bashkimit Sovjetik, çfarë tjetër fshihet pas këtij interesimi? Si do të ndikohen dinamikat gjeostrategjike në Ballkan dhe përtej nga kjo vëmendje e Moskës ndaj rajonit? Qendra e NATO- s për Komunikim Strategjik zhvilloi një diskutim mbi këtë temë. Kolegia Ardita Dunellari ka përgatitur një përmbledhje:
Megjithëse flitet shumë për ndikimin rus në Ballkan, ky ndikim mbetet shumë më abstrakt krahasuar me lidhjet që ka rajoni me strukturat euro-atlantike, thotë Profesor Dimitar Bechev:
“Ballkani Perëndimor, vendet që përfshiheshin në ish Jugosllavi, pritet që të përfshihen një ditë në Bashkimin Evropian dhe NATO, ndërsa Rusia nuk ka një strategji të ngjashme për këto vende. Edhe në ëndrrat më fantastike të nacionalistëve rusë, Serbia e vende të tjera ballkanike nuk do të bëhen ndonjëherë pjesë e një pakti ekonomik apo organizate, ku Rusia t’i mbështesë financiarisht apo të luajë një rol të krahasueshëm me atë të strukturave perëndimore”.
Vëmendja e Kremlinit ndaj Ballkanit ka si qëllim përfundimtar Perëndimin dhe interesin e Moskës që të pengojë dhe devijojë planet afatgjata të aleancave perëndimore, thotë Profesor Bechev.
“Strategjia e Rusisë ndaj Ballkanit është në funksion të marrëdhënieve ruse me Perëndimin. Kur këto marrëdhënie ecin mirë për arsye pragmatike, Rusia nuk u bie shumë ndesh politikave të Perëndimit. Kur ndezen përplasjet, Rusia ka tendencë ta shohë Ballkanin si thembra e Akilit për Aleancën Perëndimore, një rajon ku ajo mund të ushtrojë influencën e saj dhe në mënyrë të tërthortë t’ia vështirësojë punët NATO- s dhe Bashkimit Evropian,” thotë Prof. Bechev.
Studiuesi Bechev thekson se megjithëse zhvillimet në Ballkan nuk janë pikësymini primar i politikës së jashtme ruse, manovrat e Moskës kanë pasoja konkrete në politikën ballkanike, sidomos kur aktorët lokalë përpiqen ta përdorin mbështetjen e Moskës për të demonstruar forcë.
Udhëheqësit politikë në Beograd dhe politikanët serbë në Republikën Serbe të Bosnjës i shfrytëzojnë rregullisht lidhjet me Moskën për të forcuar pozitat e tyre.
Moska e ushtron influencën e saj duke u ofruar vendeve ballkanike pajisje e teknologji ushtarake, por edhe përmes një fushate intensive informative, si përmes agjencisë shtetërore e lajmeve Sputnik, që operon në Ballkan:
Milan Jovanović është studiues pranë Këshillit të Atlantikut në Mal të Zi. Organizata e tij ka studiuar influencën e Kremlinit në opinionin publik në territorin e ish-Jugosllavisë:
“Këto fushata dizinformimi, këto grupe mediatike që përhapin fushata të tilla nuk synojnë thjesht që të përhapin një teori të caktuar. Ato synojnë gjithashtu që të minojnë besimin e popullatës tek media e mirëfilltë dhe tek sistemi demokratik,” thotë zoti Jovanović.
Një tjetër problem, thotë zoti Jovanović është fakti që këto fushata dizinformimi gjejnë jehonë edhe në transmetimet e mediave lokale në disa vende ballkanike. Kjo ndodh në vende ku media u shërben synimeve të klasës politike në këto vende. Në vende ku klasa politike në pushtet përfiton nga mbështetja ruse, media dominuese i bën jehonë propagandës ruse, thotë ai:
“Zbuluam një lidhje të qartë mes synimeve të politikës së jashtme të një vendi dhe reagimit të medias dominante në këtë vend. Kjo shihet në Serbi, në Republikën Serbe të Bosnjes. Por nëse analizon vende pro-perëndimore si Mali i Zi, Bosnja apo Shqipëria, sheh dallim të madh në reagimin apo përcjelljen e propagandës ruse”.
Nuk ka një metodë të thjeshtë për t’i prerë rrugën influencës ruse, thonë ekspertët. Ata rekomandojnë një vëmendje më të madhe ndaj edukimit të popullatës për mendim kritik. Një rëndësi të veçantë, shtojnë ata, ka angazhimi i pandryshuar i organizmave euroatlantike ndaj Ballkanit Perëndimor si garancia më e mirë që këto vende të ruajnë kursin drejt Perëndimit./VoA/